Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

PIRATI MBETET NË ISHULL

Vedat Muriqi mbetet “pirat” i Mallorcës

Vedat Muriqi mbetet “pirat” i Mallorcës


9 July, 2025 @14:41

Futbollisti i Kosovës, Vedat Muriqi, ka vazhduar kontratën me ekipin e tij aktual, RCD Mallorca, të LaLigës. Prizrenasi i lindur në vitin 1994 ka siguruar marrëveshje me ishullorët, “pirat” i të cilëve do të mbetet deri në moshën 35-vjeçare.

Kjo, pasi që ai ka vazhduar kontratën e tij aktuale edhe për dy stinorë tjerë dhe tashmë ajo skadon në vitin 2029. Bile, Mallorca ka përshkruar Muriqin si shpëtimtar të ekipit në stinorin kur ekipi luftonte për mbijetesë, i cili me dedikimin e tij dhe golat e shënuar siguroi mbijetesën duke u bërë edhe njëri prej lojtarëve më të dashur nga tifozët e ekipit.

“Në 3.5 stinorë, sulmuesi nga Kosova ka luajtur 118 ndeshje për fanellën e majorkanëve, duke shënuar 35 gola dhe duke kotribuuar me 11 asistime. Tregimi i “piratit” do të vazhdojë të shkruhet te Mallorca,” — janë fjalët e faqes zyrtare të ekipit.

Në anën tjetër, Muriqi, që është edhe golashënuesi më i mirë në histori të përfaqësueses së Kosovës, në deklaratën e dhënë për rcdmallorca.es ka bërë të ditur se ndjen krenari dhe kënaqësi për të vazhduar ëndrrën me këta njerëz.

“Para së gjithash, ndjej krenari dhe kënaqësi. Nder i veçantë për të vazhduar ëndrrën me njerëzit këtu dhe të ngritemi bashkë. Kjo do të thotë shumë për mua. Për këtë jam jashtëzakonisht i lumtur që kam vazhduar me Mallorcën. Pa dyshim, ardhja ime këtu është vendimi më i mirë që e kam bërë ndonjëherë. Për mua, Mallorca është ëndrra më e mirë që kam pasur. Dhe këtë, nuk do ta ndërroj.” — ka thënë Vedati për faqen zyrtare të klubit.


 
Të gjitha lajmet nga Kosova