Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

KOSOVA ME SUKSES HISTORIK

Historike! Muriqi hat-trick, Kosova në Ligën B!

Fotot: FFK

Historike! Muriqi hat-trick, Kosova në Ligën B!


23 March, 2025 @20:03

Për herë të parë në histori, Kosova është në Ligën B të Kombeve! Kjo falë dy fitoreve të arritura në playoff ndaj Islandës, ndërsa sonte me hat-trickun e Vedat Muriqit “dardanët” shkëlqyen për të vulosur gjithçka.

Islanda - Kosova 1-3 [Oskarsson 2’—Muriqi 35’, 45’+3, 79’] ishte rezultati i sontëm në “Enrique Roca” të Murcias, ndërkaq edhe fitorja në “Fadil Vokrri” me 2-1 për Kosovën bën rezultatin në total, Kosova 5, Islanda 1 - që fut Kosovën në 16-shen e dytë më të mirë të futbollit evropian!

Ndeshja nisi jo mirë, kur pas një momenti në fillim të ndeshjes sulmuesi islandez Oskarsson shënoi për epërsi të vendasve. Por, Kosova nuk u dorëzua, e drejtuar nga Franco Foda vazhdoi kërkimin për atë që ishte nisur dhe e arriti.

Falë lojës së mirë të Milot Rashicës, nisi sulmi ku Florent Muslija gjeti Vedat Muriqin për barazim (35’) që shënoi nga afërsia falë leximit të topit. Këtu nuk përfundoi pjesa e parë! Ka qenë momenti i fundit i kohës shtesë në pjesë të parë, kur Rashica me një vertikalizim tepër të saktë gjen Muriqin i cili i ikën mbrojtjes dhe shënoi me të jashtmen për epërsi, 1-2 - me ç‘rast edhe përfundoi pjesa e parë!

Në pjesë të dytë, Islanda u angazhua për të bërë më shumë, por ishullorët nga pjesa më e largët e Evropës nuk arrinin të gjenin golin, pos një goditjeje të Helgasonit, të cilën e mbrojti bukur Amir Saipi në portë. Islanda prej minutës së 69-të të ndeshjes luajti me një lojtar më pak në fushë, pasi që qendërmbrojtësi me përvojë mori kartonin e dytë të verdhë - dhe përjashtimi i Aron Gunnarssonit veçse lehtësoi gjithçka për Kosovën në 20 minutat e fundit të ndeshjes.

E Muriqi i disponuar në terrenin për të si vendas, spanjoll, shënoi edhe hat-trickun e tij. Goli i vulosjes së fitores erdhi pasi që prizrenasi u gjend më së miri në zonë pas kornerit, duke shënuar bukur nga afërsia. E ky rast erdhi pas një goditjeje të fortë të Florent Muslijës nga gjuajtja e lirë, të cilën referi anësor e vlerësoi milimetrikisht saktë për korner!

Fitorja, bën që Kosova për herë të parë në histori të saj të jetë në Ligën B të Kombeve. Në mesin e 16 ekipeve të dyta më të mira të Evropës. Islanda bie në Ligën C të Kombeve.

Për tu përmendur sonte, Foda mundësoi edhe debutimin e Diar Gallapenit në 3 minutat e fundit të ndeshjes.

 


 
Të gjitha lajmet nga FFK Superliga