FINAL SERIES | VËLLAZNIMI 1-0 PRISHTINA E RE
Vëllaznimi një hap pranë rikthimit në Superligë
15 April, 2022 @23:25
Ekipi gjakovar, Vëllaznimi, pas rënies nga Superliga në stinorin e kaluar, është vetëm një fitore larg rikthimit aty.
Kuqezinjtë që filluan stinorin me trajnerin Franko Sterle dhe e vazhduan me Shkumbin Kumnovën pasi që kryen pjesën e rregullt me bilanc perfekt 18-0, tashmë kanë shënuar edhe fitore në duelin e parë të finales së PlayOffit ndaj Prishtinës së Re që drejtohet nga Albert Sylejmani e Ibrahim Karabeg, për të bërë serinë finale 1-0.
Ekipi që arrin dy fitore në serinë finale të PlayOffit bëhet anëtar i ri i Superligës për edicionin 2022/23, ndërsa ndeshja e radhës luhet në Prishtinë.
Dominimi i Vëllaznimit, shkëlqen Besnik Azemi
Sonte, Vëllaznimi ka qenë dukshëm më i mirë se kundërshtari, derisa nuk e ka humbur asnjë çerek në këtë përballje për të fituar bindshëm në fund, 89-72 [20-12, 27-22, 18-18, 24-20].
Përvoja e Besnik Azemit ka qenë dominante sot në lojën e Vëllaznimit, derisa ish-basketbollisti i Trepçës ka kryer lojën me double-double prej 25 pikëve dhe 13 kërcimeve në fitoren e ekipit të tij.
Pos Azemit, me pikë dyshifrore ndeshjen e kanë përfunduar edhe Ujkan Karanezi (15 pikë), Michael Green (14 pikë) dhe Atik Koshi (10 pikë). Green bëri edhe 8 asistime e 8 kërcime në proces, për të qenë ndër kryesorët në fitore.
E mira, Kumnova i dha mundësi thuajse secilit lojtar të Vëllaznimit që të shënojnë finalen, derisa te kundërshtari treshja Don Polloshka, Dion Haxhosaj e Arbër Sinani luajtën nga 40 minuta pa pushim.
Kjo treshe luajti me pikë dyshifrore, ndërsa Polloshka e Haxhosaj kryen ndeshjen me double-double. Doni dha 14 pikë e bëri 10 asistime, kurse Dioni dha 16 pikë (më efikasi te Prishtina e Re) dhe bëri 18 asistime në proces, prej të cilave 8 në sulm!
Si merret bileta për Superligë?
Dueli i radhës që luhet në Prishtinë, zhvillohet më 18 prill me fillim prej orës 18:00. Nëse Prishtina e Re arrin fitoren, seria finale barazohet në 1-1 dhe ndeshja vendimtare që fut njërën prej skuadrave në Superligë luhet në Shani Nushi të Gjakovës. Në rast se Vëllaznimi e fiton edhe këtë ndeshje, atëherë Gjakova mund të festojë rikthimin ekspres në Superligë.
Përndryshe, humbësi i finales do të ketë edhe një mundësi për të kërkuar Superligën, pasi që do të luajë ndeshje PlayOuti me ekipin që përfundon në pozitën e parafundit në Superligë, ku aktualisht gjindet Bashkimi i Prizrenit, ndërsa në rrezik për të përfunduar aty është edhe Rahoveci.