FITORE E MADHE E EKIPIT GJAKOVAR!
Vëllaznimi përmbys Prishtinën në çerek të fundit, për të fituar
4 November, 2023 @19:06
Super seri e Vëllaznimit. Prej fillimit të stinorit me katër humbje, me sot ekipi gjakovar ka tre fitore radhazi! Një paraqitje monstruoze e Vëllaznimit në çerek të fundit të ndeshjes ndaj Prishtinës, ka bërë që avantazhi prej 11 pikësh i Prishtinës në 10 minutëshin e fundit të ndeshjes, të shkrihet dhe kuqezinjtë vendas të shënojnë fitoren e madhe në “Shani Nushi” 83-77.
Pas pjesës së parë të kryer me barazim 43-43, Prishtina kishte krijuar avantazh komfor në çerekun e tretë me 11-22, për të hyrë në çerekun final të ndeshjes me 11 pikë dallim.
Por, ekipi gjakovar kishte përgatitur befasi jo vetëm për shikuesit e pranishëm, por edhe për ekipin mysafir! Jalen Ray me 22 pikë, 5 asisitime e 5 kërcime, ishe koshashënuesi më i mirë, me 20 pikë e 9 kërcime u dallua edhe Sam Sessoms, ndërsa 12 pikë të tjera dha Burim Zekiqi.
Ray shutoi 4/7 për tri pikë, ndërsa Zekiqi 3/8. Mauron Jones dha 11 pikë, duke shutuar 2/6 për tri pikë për këtë fitore të madhe për ekipin e drejtuar nga Josip Plantak.
Prishtina pësoi humbjen e tretë të stinorit! Pas humbjeve ndaj Pejës dhe Trepçës - që kanë qenë derbi të mëdha, bardhekaltërit nuk prisnin të pësonin nga Vëllaznimi. Dardan Berisha dhe Derrick Wilson me nga 16 pikë të shënuara ishin më të dalluarit te Prishtina. Dardani bëri edhe 4 asistime e 5 kërcime, ndërsa shutoi 2/9 për tri pikë, derisa Wilson bëri 7 asistime e 5 kërcime.
Prej lojtarëve tjerë, vetëm edhe Shaheed Davis dha pikë dyshifrore të ekipi nga kryeqyteti. Davis shënoi 11 pikë, ndërsa bëri 2 asistime e 3 kërcime deri në fund të ndeshjes.
Fitorja, bën që Vëllaznimi tash të ketë bilancin 3-4, ndërsa Prishtina 4-3. Për Vëllaznimin, kjo është seria më e mirë kampionale, duke shënuar fitoren e tretë me radhë në kampionat, pas startit me katër humbje!