ALBAN VESELI
Veseli i frikësohet Torcidës, e do Prishtinën në finale
17 February, 2017 @18:33
Basketbollisti më meritor për kualifikimin e Pejës në finale të Kupës së Kosovës, Alban Veseli, pas ndeshjes me Bashkimin e vlerësoi paraqitjen dhe fitoren e skuadrës së tij.
“Ishte gjysmëfinale dhe natyrisht se e kemi ditur që nuk ka lojë të lehtë këtu. Bashkimi ka luajtur një lojë të mirë posaçërisht në çerekun e fundit, kur edhe u kthye në lojë. Mendoj që pas epërsisë gati 20 pikë, u relaksuam paksa dhe dy lojtarë tanë e përfunduan takimin me nga 5 gabime personale, gjë që ndikoi kjo në çerekun e fundit, por në fund ne fituam dhe kjo është më e rëndësishmja,” tha Veseli në intervistën për kanalin transmetues të ndeshjes, Supersport.
Më tej, Veseli pranoi se në finale do ta dëshironte ta kishte kundërshtar më shumë Prishtinën se sa Trepçën.
“Ndoshta më mirë do të ishte Prishtina. E dijmë se Torcida çfarë di të bëjë në Minatori, kështu që preferoj Prishtinën,” përfundoi Veseli.