FITORE E RADHËS NË SHTËPI
Vushtrria e pandalshme në “Ferki Aliu”, fiton dhe ngritet në renditje
27 October, 2024 @20:47
Edhe fitorja e pestë në pesë ndeshjet e luajtura për Vushtrrinë ka ardhur në “Ferki Aliu” derisa ekipi i drejtuar nga Armend Dallku me fitoren e sotme ndaj Ramiz Sadikut është ngritur në pozitë të dytë të renditjes tabelare në Ligën e Parë - Grupi B.
Edhe pse me pikë të njëjta si Dinamoja e Ferizajit, më shumë gola të shënuara për vushtrriasit ka bërë që ata të ngriten në tabelë, ndërsa tash qëndrojnë në pozitën që premton barazhin për Superligë, pas një shfaqjeje të bukur sonte ku avancuan me golin e Drilon Fazliut në momentet e fundit të pjesës së parë, ndërsa në pjesë të dytë Urim Statovci konvertoi penalltinë për t’ia dhënë fitoren ekipit: Vushtrria - Ramiz Sadiku 2-0 [Drilon Fazliu 45’+3, Urim Statovci 66’pen.].
Ramiz Sadiku nuk arriti të bëj më shumë sot, derisa ekipi i drejtuar nga Alban Dragusha në fund u pajtua me humbjen e katërt kampionale. Derisa Vushtrria pas xhiros së dhjetë del në pozitë të dytë të tabelës me 20 pikë, 5 më pak se liderja Prishtina e Re, Ramiz Sadiku është i gjashti në renditje me 14 pikë nga po aq ndeshje.