TREPÇA - YLLI

Foto: Arian Paçarizi / Borozani
Ylli pa probleme në Mitrovicë
13 October, 2017 @19:30
Në ndeshjen hapëse të xhiros së tretë të Superligës së Kosovës në basketboll, skuadra e Yllit ka shënuar fitore të lehtë ndaj skuadrës së Trepçës në Mitrovicë.
Therandasit diferencën në rezultat e bën që nga çereku i parë, i cili përfundoi me rezultat të thellë 11-31, derisa më pas çdo gjë u bë më e lehtë dhe takimi u mbyll me rezultatin përfundimtar 78-115 në të mirë të Yllit. Mysafirët ishin më të mirë në të gjithë çerekët e ndeshjes dhe fituesi nuk ishte në dyshim për asnjë moment gjatë gjithë takimit.
Përveç basketbollistit Taylor Bessick që realizoi double-double me 24 pikë e 13 kërcime, për t’u përmendur nga ky takim te skuadra e Yllit është basketbollisti Arif Mehmeti, i cili sonte shënoi plot 22 pikë, ndërsa 19 prej tyre i shënoi vetëm në pjesën e parë (12 prej tyre nga 4 trepikësha). Në anën tjetër, te Trepça e përbërë plotësisht nga lojtarë vendor, u veçua Burim Zekiqi me 25 pikë, 6 kërcime e 3 asistime.
Pas 3 xhirove, Ylli ka 2 fitore e 1 humbje, derisa mitrovicasit kanë 3 humbje.