SEMIFINALS GAME 2: PRI - YLL
Ylli “zgjohet” vonë, Prishtina shumë pranë finales
28 April, 2018 @20:25
Me fitoren e vendasve ka kaluar edhe takimi i dytë gjysmëfinal mes Prishtinës dhe Yllit, me kryeqytetasit që edhe pse u shpërqëndruan paksa në pjesën e dytë, arritën që në fund të dalin fitues.
Pjesa e parë u mbyll me rezultat 47-28, ndërsa mysafirët në pjesën e dytë u treguan skuadër më e mirë, duke e ngushtuar shumë rezultatin, mirëpo epërsia e krijuar nga pjesa e parë dhe përvoja e disa basketbollistëve të kryeqytetasve bëri që ndeshja të përfundonte me rezultatin përfundimtar 80-75.
Shumë i mirë për therandasit ishte çereku i fundit, në të cilët ata shënuan plot 26 pikë dhe pranuan vetëm 12, për ta zbutur epërsinë e Prishtinës deri në 4 pikë, mirëpo koha nuk premtoi dhe mysafirët u detyruan të pajtohen me humbje.
Më të dalluarit te Prishtina sonte ishin Edmond Azemi me 19 pikë, 8 kërcime e 6 asistime dhe Granit Rugova me 19 pikë, 1 kërcim e 2 asistime, kurse te Ylli u dalluan Alexis Wangmene me 19 pikë, 10 kërcime e 1 asistim dhe Michael Harmon me 19 pikë, 1 kërcim e 3 asistime.
Kjo ishte fitorja e dytë e Prishtinës në serinë gjysmëfinale ndaj Yllit, që nënkupton që kampionit në fuqi të Kosovës i duhet vetëm edhe një fitore për të kaluar në finale. Sipas rregullave, ndeshjet luhen në sistemin 2-2-1 dhe ndeshja e ardhshme do të luhet në Suharekë, ku një fitore e Prishtinës do ta dërgonte këtë skuadër në finale, ndërsa një fitore e vendasve do ta ngushtonte serinë në 2-1.