LIGA E FEMRAVE: FINALJA
Federata merr vendimin për ndeshjen e ndërprerë
27 April, 2018 @18:57
Një ditë pas ndeshjes së parë finale mes Penzës dhe Bashkimit, ndeshje e cila u ndërpre kur rezultati ishte 40-51, Federata e Basketbollit të Kosovës ka marrë vendimin e saj, duke përcaktuar rezultatin zyrtar të duelit dhe duke shqiptuar dënimet përkatëse.
Konform rregullores, ndeshja e zhvilluar mbrëmë regjistrohet me rezultat zyrtar 0-2 në të mirë të Bashkimit, duke bërë që skuadra prizrenase ta ketë epërsinë 0-1 pas ndeshjes së parë finale.
Përveç vendimit për rezultatin zyrtar, Federata ka shqiptuar dënime edhe për disa zyrtarë e lojtare të klubeve, ndërsa për t’u veçuar është dënimi i Shqiponja Bytyqit, trajnerës së Penzës, e cila u dënua me ndalesë të përjetshme të kryerjes së detyrës së trajnerit dhe detyrave tjera në sportin e basketbollit në kuadër të FBK-së. Gjithashtu, edhe Saranda Daci e Penzës është dënuar me 1 ndeshje moslojë, që nënkupton mungesë në ndeshjen e dytë të serisë finale, kurse dënimet e tjera të shqiptuara nga ky duel janë në vlerë monetare.