LIDERI I PAMËSHIRSHËM NDAJ ELEKTRICISTËVE
6 në 6, Prishtina e Re vazhdon me super serinë e fitoreve
25 September, 2024 @20:22
Pa shumë probleme ka ardhur edhe fitorja e gjashtë nga gjashtë ndeshjet e para të stinorit për Prishtinën e Re të drejtuar nga Elon Berisha, që nuk po ndalet së fituar në Grupin B të Ligës së Parë.
Bardhekaltërit kanë shënuar fitore të thellë edhe ndaj ekipit që erdhi këtë stinor në Ligë të Parë nga Liga e Dytë, KEK-u, duke i mposhtur me rezultat bindës: Prishtina e Re - KEK 5-0 [Fatih Ismaili 11’, Astrit Berisha 28’, Vigan Ademi 40’, Agustin Rojas 58’, Bleon Sekiraqa 73’].
Epërsia e shpejtë e arritur, ka bërë që Prishtina e Re të luajë pa asnjë brengë përgjatë vazhdimit të ndeshjes, ndërsa trajneri i tyre ka pasur mundësinë edhe të eksperimentojë me taktika përgjatë duelit, ku ekipi i tij fitoi duelin e radhës.
Përndryshe, sulmuesi i tyre i ardhur këtë verë Astrit Berisha ka vazhduar me gola, duke shënuar edhe golin e radhës. Kur thuhet golin e radhës, duhet edhe cekur goleadorin, ish-lojtar i Lirisë dhe i Suharekës, që tashmë ka arritur në kuotën e tetë golave në gjashtë ndeshje për ekipin e tij! Gjithashtu, për tu theksuar Astrit Berisha ka shënuar gola radhazi në 5 nga 6 ndeshjet e ekipit, një dygolësh dhe një hat-trick.
Sot, dy asistime iu regjistruan Fatlind Azizit, kurse nga një Samir Sadriut Adonis Zeqirit e Bachare Razackut. Me duelin e sotëm, Prishtina e Re ka 18 pikë nga 6 ndeshje, ndërsa ndjekësit të parë të saj kanë 5 pikë më pak!