ESTONIA - KOSOVA

Foto: FBK
Kosova e pafuqishme ndaj Estonisë
9 August, 2017 @19:13
Pas fitores ndaj Maqedonisë, Kosova është mposhtur në ndeshjen e dytë të grupit, ndeshje kjo që u zhvillua në Talin të Estonisë.
Të udhëhequr nga Erjon Kastrati, Kosova e filloi mirë takimin duke krijuar një epërsi 0-7, ndërsa pikët e para të Estonisë erdhen pas 3 minutave lojë. Më pas, Estonia e mori veten dhe çerekun e parë e mbylli me epërsi 17-15, derisa kjo ndodhi kryesisht falë saktësisë së lartë të estonezëve nga gjuajtjet për tri pikë.
Në çerekun e dytë, Estonia dominoi edhe më tepër, duke aplikuar mbrojtje tejet të mirë dhe sulm efektiv përmes gjuajtjeve të sakta nga loja. Me Dardan Berishën që nuk ishte në formën më të mirë dhe pjesën e parë e mbylli me vetëm 3 pikë të shënuara, lideri i Kosovës pas pjesës së parë ishte Erjon Kastrati me 11 pikë, mirëpo shumë pak i ndihmuar nga bashkëlojtarët, Kastrati ishte i pafuqishëm që ta ndal hovin e estonezëve dhe pjesa e parë u mbyll me 11 pikë disavantazh për Kosovën, 40-29.
SHIKO: ORARI I NDESHJEVE TË KOSOVËS DHE GRUPET
Në çerekun e tretë, Estonia vazhdoi me lojë të njëjtë, akcione të zgjatura e të menduara mirë, për ta rritur edhe më tej epërsinë, e në anën tjetër Kosova nuk dha shenja për ndonjë rikthim të mundshëm. Pas 30 minutave, rezultati në semafor shënonte 60-41.
E çereku i fundit u zhvillua vetëm sa për statistika, me epërsinë e Estonisë që ishte e pamundur të përmbysej nga Kosova, e cila në këtë çerek shënoi vetëm 9 pikë. Kështu, ndeshja u mbyll me rezultatin përfundimtar 76-50.
Më të dalluarit te Estonia ishin Hallik me 15 pikë dhe Sokk me 14 pikë. Te Kosova u veçuan Erjon Kastrati me 11 pikë (asnjë në pjesën e dytë), derisa 9 pikë shtoi edhe Drilon Hajrizi.
Duhet përmendur që faktor kryesor në humbjen e Kosovës ishin gjuajtjet e dobët nga loja. Përfaqësuesja e Kosovës gjuajti nën 32% si nga gjuajtjet për 2 pikë, ashtu edhe ato për 3 pikë.
Ndeshjen e tretë Kosova e luan në Shkup më 12 gusht ndaj Maqedonisë, takim i cili mund të jetë vendimtar në kalimin e grupit, kur dihet që një fitore e mundshme në atë takim ia siguron Kosovës automatikisht plasmanin në kualifikimet drejt Botërorit të Kinës.
Estonia
1 | Reinar Hallik (22:13) | 15 pikë | 3 kërcime | 4 asistime |
2 | Sten Stokk (26:58) | 14 pikë | 2 kërcime | 3 asistime |
3 | Rain Veideman (35:46) | 12 pikë | 4 kërcime | 2 asistime |
4 | Janar Talts (21:58) | 10 pikë | 6 kërcime | 1 asistim |
5 | Erik Keedus (18:34 | 10 pikë | 4 kërcime | - |
6 | Kristjan Kengur (29:25) | 6 pikë | 5 kërcime | 8 asistime |
7 | Jaan Puidet (24:15) | 6 pikë | 6 kërcime | 4 asistime |
8 | Rait Laane (13:00) | 3 pikë | 1 kërcim | - |
9 | Martin Paasoja (05:37) | 0 pikë | - | 1 asistim |
10 | Kregor Hermet (02:12) | 0 pikë | - | - |
11 | Janari Joesaar | - | - | - |
Kosova
1 | Erjon Kastrati (31:49) | 11 pikë | 4 kërcime | 1 asistim |
2 | Drilon Hajrizi (22:18) | 9 pikë | 4 kërcime | 2 asistime |
3 | Dardan Berisha (29:18) | 8 pikë | 1 kërcim | 4 asistime |
4 | Gëzim Morina (22:00) | 7 pikë | 4 kërcime | - |
5 | Fisnik Rugova (20:41) | 7 pikë | 1 kërcim | 1 asistim |
6 | Alban Veseli (18:00) | 4 pikë | 6 kërcime | 1 asistim |
7 | Lis Shoshi (19:18) | 2 pikë | 5 kërcime | - |
8 | Arti Hajdari (03:02) | 2 pikë | - | - |
9 | Jaren Sina (11:15) | 0 pikë | 2 kërcime | 2 asistime |
10 | Granit Rugova (07:49) | 0 pikë | 2 kërcime | - |
11 | Leonard Mekaj (14:28) | 0 pikë | 2 kërcime | |
12 | Ergin Grosha | - | - | - |