Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

XHIROJA E FUNDIT

A do të duhej të ishin ndeshjet e xhiros së fundit me orar të njëjtë?

A do të duhej të ishin ndeshjet e xhiros së fundit me orar të njëjtë?


9 April, 2021 @19:53

Në këtë fundjavë, përkatësisht më 10 dhe 11 prill, do të luhen ndeshjet e xhiros së fundit të pjesës së rregullt të kampionatit në Superligë, ku do të mësohet fati përfundimtar i skuadrave se kush do të shkojë në Play Off, kush në Play Out, e kush do të bie nga liga.

Situata në tabelë aktualisht është aq e komplikuar, sa që secila skuadër përveç rezultatit të saj do t’i interesojë edhe rezultati i rivalëve në ndeshjet e tjera, ndërsa orari i ndryshëm i ndeshjeve mund të ndikojë edhe në performancën e skuadrave.

Ndryshe nga praktikat në kampionatet e tjera, ku ndeshjet e xhiros së fundit zhvillohen në orar të njëjtë për të mos dhënë hapësira për ‘kurdisje’ të rezultateve, Federata e Basketbollit të Kosovës ka caktuar orarin e zakonshëm me dy ndeshje të shtunën dhe dy të dielën, që nisin nga ora 17:00 dhe 19:00.

Lajmi vijon më poshtë...

Xhiroja do të fillojë me ndeshjen e parë Ponte Prizreni - Trepça, e cila luhet të shtunën në ora 17:00. Prizrenasit në këtë ndeshje do të hyjnë pa ndonjë presion pasi që e kanë siguruar vendin e parë më herët, ndërsa Trepça do të kërkojë fitoren për të siguruar Play Off-in dhe për t’i ikur Play Out-it.

Kalkulimet mund të fillojnë pikërisht nga kjo ndeshje nëse Trepça pëson humbje përballë Ponte Prizreni. Një rezultat i tillë mund të ketë ndikim direkt në ndeshjen tjetër, Prishtina - Bashkimi, ku dy skuadrat do të mund të ‘dakordoheshin’ për një rezultat që do t’i çonte të dyjat në Play Off, derisa Trepçën do ta çonte në Play Out. Rezultati i favorshëm do të ishte fitorja e Prishtinës, me ç‘rast edhe Bashkimi edhe Prishtina do të shkonin në Play Off, pasi që pikët e dy skuadrave do të ishin të njëjta me Trepçën, ndërsa kjo e fundit do të renditej më poshtë për shkak të bilancit më të dobët në ndeshjet e ndërmjetme.

‘Dakordim’ për rezultatin final do të mund të kishte edhe në ndeshjen Peja - Vëllaznimi, në qoftë se Prishtina paraprakisht mposhtet nga Bashkimi. Në atë rast, ‘rruga e dakordancës’ për rezultatin në favor të Vëllaznimit do të ishte e hapur, pasi që Peja tashmë e ka të sigurt pozitën e katërt dhe nuk do t’i paraqiste fare problem çfarëdo humbje përballë Vëllaznimit.

Sigurisht që ‘lojëra jashtë fushës’ shpresojmë të mos kemi asnjëherë dhe fjalën e fundit duam që ta thotë vetëm loja e basketbollit në fushë, por ndeshjet me orare të ndryshme në xhiron e fundit gjithmonë mund të krijojnë skenare të padëshiruara.

Siç dihet, në përcaktimin e orarit të ndeshjeve të Superligës ndikim të madh kanë kanalet televizive që kanë të drejtën e transmetimit të ndeshjeve, ndërsa FBK këtë të drejtë kohë më parë ia kishte dhënë dy platformave të ndryshme televizive.


 
Të gjitha lajmet nga FBK Superliga