Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

STAR OF THE GAMEWEEK XV

Arb Manaj (Drita) - Ylli i javës (15)

Foto: FFK

Arb Manaj (Drita) - Ylli i javës (15)


2 December, 2024 @11:39

Futbollisti i Dritës, Arb Manaj, me gol dhe asist të regjistruar në fitoren e gjilanasve si mysafir në derbi ndaj kampionit aktual Ballkanit është përzgjedhur lojtari më i mirë i xhiros XV të Superligës.

Kjo është hera e parë për Manajn që e merr këtë çmim këtë stinor, ndërsa lojtarët e Dritës kanë fituar tashmë katër herë këtë çmim këtë stinor, duke treguar dominim jo veç në fushë të lojës, por edhe në cilësi individuale të lojtarëve të saj.

Federata e Futbollit të Kosovës dhe sponsori i Superligës, Albi Mall, vazhdojnë të ndajnë çmimin “Ylli i Javës”. Ky çmim për javën e 15-të në Albi Mall Superligë i është ndarë futbollistit të FC Drita, Arb Manaj.

Vlerësimi i më të mirit të javës është bërë nga Komisioni i Veteranëve të Futbollit, në përbërje të Lulzim Berishës, Sunaj Keqit dhe Selajdin Jerliut. Ky komision vendosi që çmimi “Ylli i Javës” për xhiron e pesëmbëdhjetë t’i takojë Arb Manajt, i cili asistoi në golin e dytë dhe shënoi golin e tretë, duke qenë lojtari më i mirë i FC Drita në fitoren e rëndësishme kundër FC Ballkani (2:3) dhe duke i mundësuar ekipit të tij 3 pikë për shkëputje 6 pikëshe në krye të tabelës.

Pasi mori këtë çmim, Manaj u shpreh i lumtur që u vlerësua si më i miri i javës: “Ishte një ndeshje derbi dhe shumë e vështirë, pasi udhëtonim te FC Ballkani, i cili për 2 vite e gjysmë nuk ka pësuar në fushën e tij, por ne arritëm ta fitojmë.
Kemi 4 ndeshje radhazi me fitore dhe shpresoj që t’i fitojmë të gjitha 3 ndeshjet deri në fund të sezonit. Jam i lumtur me performancën time individuale, por më e rëndësishmja është që po arrij ta ndihmoj ekipin. Falenderimi më i madh shkon për bashkëlojtarët e mi.”
– tha ai për faqen zyrtare të FFK-së.


 
Të gjitha lajmet nga FFK Superliga