LLAPI - FERIZAJ
Mbi dy muaj pa fitore, s’ka fund kriza e Llapit!
30 November, 2024 @15:05
Mbi dy muaj pa fitore në ligë për Llapin!
Fitorja e fundit e Llapit në ligë kishte ardhur në xhiron e shtatë, kur fitonte 3-0 ndaj Suharekës, e sot skuadra e Tahir Batatinës ndonëse iu afrua fitores shumë, pësoi gol krejt në fund dhe përsëri nuk e mbylli ndeshjen me tri pikë të arkëtuara.
Takimi i sotëm përfundoi 1-1 (Hamdi Namani 89’ / Marko Musulin 90+9’).
Pjesa e parë e ndeshjes u mbyll pa gola, ndërkohë Llapi filloi ta shtojë presionin ndaj kundërshtarit gjatë pjesës së dytë.
Nga minuta e 50’, Ferizaj mbeti me një lojtar më pak në fushë. Pas rishikimit me VAR, qendërmbrojtësi Ermin Imamovic u përjashtua nga loja me karton direkt të kuq dhe kjo bëri që trysnia llapjane të shtohej edhe më tepër.
Kur kishte mbetur edhe një minutë pa përfunduar koha e rregullt, mesfushori Hamdi “Lum” Namani e gjeti rrjetën, për t’ia dhënë skuadrës së tij epërsinë që u mendua se do të ishte e mjaftueshme për ta mbyllur ndeshjen me fitore.
Por, mysafirët nga Ferizaj nuk u dorëzuan, fituan një penallti në minutën e nëntë të kohës shtesë dhe e barazuan rezultatin përmes Marko Musulinit, për të ikur nga Podujeva me një pikë.
Kështu, kriza e Llapit nuk ka fund. Mbi dy muaj pa fitore në ligë dhe vetëm 17 pikë pas 15 ndeshjeve. Në anën tjetër, Ferizaj ka vetëm një pikë më pak se Llapi.