Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

E PARA E STINORIT!

Feronikeli’74 në borë arrin fitoren e parë sezonale

Feronikeli’74 në borë arrin fitoren e parë sezonale


29 November, 2024 @21:50

Në një terren të papërshtatshëm për lojë për shkak të borës së lagët dhe lloçit të krijuar pastaj nga lagështia në pjesë të dytë, Feronikeli’74 ka arritur të shënojë fitoren e parë të stinorit në Superligë, duke e mposhtur Suharekën në “Rexhep Rexhepi” 3-1 [Hasan Hyseni 23’pen., Stivian Janku 48’, Hysen Memolla (SUH) AG 55’ - Adem Maliqi 58’].

Ka qenë fitorja e parë, ndoshta edhe shpresëdhënëse për ekipin e drejtuar nga Giovanni Colella në luftë për mbijetesë. Edhe pse më së voni që ishte e mundur ‘nikli ka arritur të shënojë fitoren e parë, pas 15 ndeshjeve të luajtura në Superligë.

Ka qenë Hasan Hyseni që i dha epërsinë ekipit të tij, pasi që u rrëzua në zonë e pas kontrollit në VAR, gjyqtari Isak Ceroviku nuk pati dyshime. Penalltinë Hyseni e shutoio në mes, për epërsi. Bora e lagët vazhdoi të binte, ndërsa terreni rëndohej edhe më, e në këto kushte dy raste të mira i kishte Suhareka.

TABELA AKTUALE

Ka qenë së pari Liridon Fetahaj (32’) që tentoi, e më pas edhe Arvanit Rexhaj (35’), por pa sukses. Topi ndalej nga Davide Borsellini disi, ose dëbohej nga mbrojtja.

Me të nisur pjesa e dytë, edhe një goditje për Suharekën e Qëndrim Kidës. Kornerin e kapitenit Florent Avdyli me mund dhe në duel të rrëshqitshëm, Stivian Janku e shndërroi në gol për 2-0. Nuk vonoi shumë, në tentim krosimi Lavdim Zumberit iu devijua goditja nga Hysen Memolla dhe përfundoi në portë të mysafirëve për 3-0! Pos shiut dhe lloçit, tashmë për suharekasit ishte rënduar edhe rezultati. Kjo, pasi që në pjesë të dytë bora u ndalë disi.

Edhe pse Adem Maliqi reagoi menjeherë, duke shënuar për 3-1 në sulmin e radhës (57’) mundësi më tej nuk kishte dhe rastet u zbehën, ndërsa Feronikeli’74 festoi! Suhareka është pesë ndeshje pa fitore tani! Ekipi pësoi për herë të gjashtë këtë stinor. E për momentin pas 15 ndeshjesh është në pozitë të pestë me 19 pikë!

Feronikeli’74 edhe pse vazhdon të jetë i fundit në renditje tabelare, në pozitë të dhjetë, tashmë ka kaluar në gjashtë pikë, ndërsa edhe ka zbutur goldallimin në minus 19! Përndryshe, pas Feronikelit’74 (29) Suhareka është ekipi që ka pësuar më së shumti gola në Superligë (23), që e bën atë ekipin e dytë me mbrojtje më të zbehtë në elitë.

 


 
Të gjitha lajmet nga FFK Superliga