SUHAREKA - FERIZAJ
Barazim pa gola në Suharekë, të dyja skuadrat thellojnë krizën
24 November, 2024 @14:58
Pa fitues në duelin e sotëm mes Suharekës dhe Ferizajit në kuadër të xhiros së XIV të Superligës.
Skuadrat në fjalë nuk treguan shumë dhe ndeshja u mbyll me rezultat të bardhë, 0-0 pas 90 minutave lojë.
Ndeshja filloi me vendasit më kërkues, që patën edhe një gol të anuluar për shkak të pozitës jashtë loje të Mevlan Zekës në minutën e tetë, por më pas ritmi i lojës dukshëm ra dhe pjesa e parë u mbyll pa gola. Sa i përket mysafirëve, rastin më të mirë për ta e pati kapiteni Edon Sadriu në fundin e pjesës së parë, gjuajtja e të cilit përfundoi për pak jashtë portës.
Si e para, njëjtë edhe pjesa e dytë la shumë për të dëshiruar. Pak e hiç raste për shënim, shumë ndërprerje e tejet pak lojë aktive. Në fund, portat mbeten të paprekura dhe pikët u ndanë.
Kështu, përfshirë edhe ndeshjen e mbetur që e luajti ndaj Dritës në mesjavën e kaluar, Suhareka tashmë shkon në 5 ndeshje pa fitore në ligë, kurse Ferizaji nuk di për fitore në 4 xhirot e fundit.
Përballjen e ardhshme Suhareka e luan si mysafire e Niklit ‘74 në Drenas, e Ferizaji i shkon Llapit në Podujevë.