MALISHEVA MPOSHTI DUKAGJININ
Hazrollaj e Xhylani kthejnë Malishevën te fitoret
23 November, 2024 @19:54
Malisheva ka shënuar fitore si vendas sot në “Liman Gegaj” ndaj Dukagjinit, për të shënuar të dytën me radhë në shtëpi, pas humbjes nga Ballkani në xhiron e shkuar. Ekipi i Bekim Isufit mposhti 2-1 [Drilon Hazrollaj 19’, Laurent Xhylani 56’ - Theo Solomon 43’] atë të Ismet Munishit, në një përballje ku të dyja skuadrat patën pak raste konkrete, por të rrezikshme për të ndërruar rezultatin.
Laurent Xhylani nga e majta gjeti Hazrollajn të zbrazët në zonë të rreptësisë, ku ky i fundit nuk e kishte të vështirë t’i jepte avantazhin skuadrës. Malisheva tentoi edhe njëherë para se të pranonte golin, por s’arriti.
E një gabim në dalje nga mesfusha malishevase, bëri që Theophilus Solomon të shfrytëzojë mundësinë nga topi i rrëmbyer dhe shënoi për të shkuar ekipet në pushim me barazim! Në pjesë të dytë Xhylani shënoi vetë nga afërsia, pasi që pranoi topin me të djathtën dhe me një rrotullim qëlloi me të majtën për epërsi.
Dukagjini kishte edhe një rast të mirë më pas, por portieri Velii mbrojti mirë, derisa në minutën e tretë të kohës shtesë vendasit festuan fitoren. Malisheva mbyllë xhiron e XIV në pozitë të tretë me 25 pikë, pas fitores së shtatë sezonale, ndërkaq Dukagjini me disfatën e shtatë sezonale është në 17 pikë dhe në pozitë të shtatë.