I KTHEHEN FITORES
Gjilani bindshëm ndaj Feronikelit’74
23 November, 2024 @19:30
Gjilani ka shënuar fitoren e parë pas tre ndeshjesh pa atë, duke e mposhtur sot Feronikelin’74 në “Rexhep Rexhepi” me rezultat bindës 0-3 [Senad Jarovic 10’, Oltion Bilalli 21’, Edi Basa 62’]!
Gjilani shfrytëzoi mjeshtërisht mundësitë e ofruara në fillim të ndeshjes dhe siguroi rezultat që në pjesë të parë. Së pari Jarovic nga afërisa dhe epërsinë, ndërsa pas tij Bilalli pranoi një top shumë të mirë nga Basa, për të ngritur avantazhin. E në pjesë të dytë, vetë Basa pasi i iku kurthit për pozitë jashtë loje, shënoi para Davide Borsellinit për përfundimtaren 0-3.
Feronikelit’74 iu anuluan tre gola në këtë ndeshje. Në të tre herat, shënuesit u gjetën në pozitë jashtë loje! Pjesa e dytë me raste ishte thuajse plotësisht e vendasve, por assesi të shënonin gol, derisa Kenan Haxhihamza mbrojti në disa raste goditjet që shkonin drejt portës së tij, për ta mbajtur portën e paprekur në këtë ndeshje.
Kah fundi, vendasit mbetën edhe me një lojtar më pak në fushë pasi që Alban Shillova në pamundësi ta godasë me kokë, preku topin me dorë për të tentuar të shënojë - e gjyqtari i ndeshjes ia dha të verdhën e dytë (89’).
Fitorja e sotme, që erdhi pas besimit të dhënë nga kryesia për trajnerin Ardian Nuhiu, çon Gjianin në pozitë të gjashtë të tabelës me 17 pikë të tubuara pas fitores së katërt sezonale të arritur. Ndërkaq Feronikeli’74 i drejtuar nga Giovanni Colella tashmë duket të jetë në mision të pamundur për shpëtim të stinorit në Superligë, pasi që me disfatën e 11 sezonale, ekipi është i fundit dhe është 11 pikë larg pozitës së parafundit - që gjithashtu të rrëzon nga Superliga.