REPREZENTUESI I KOSOVËS

Arti Hajdari zyrtarizon ndarjen me Prizrenin, pritet ekipi i ri
19 July, 2022 @15:55
Njëri ndër basketbollistët më të mirë që ka pasur KB Prizreni nga radhët e vendorëve ndër vitet në Superligë, Arti Hajdari, është ndarë edhe zyrtarisht nga klubi, duke dhënë një njoftim-falenderim për kohën e kaluar aty.
Pejani që tashmë edhe luan në reprezentacion të Kosovës ka falenderuar KB Prizrenin për mundësinë dhe veçanërisht trajnerin Arbnor Rifati për ngritjen e tij si basketbollist.
Hajdari 29-vjeçar, që luan në pozitat 2-3, ka qenë lojtari me mesatare më të madhe të minutazhës te KB Prizreni në stinorin e kaluar krahasuar me ndeshjet e zhvilluara nga lojtarët vendorë të ekipit.
Ai ka luajtur mesatarisht 33.4 minuta për lojë, duke shënuar 16.3 pikë për ndeshje, 2.7 asistime dhe 2.7 kërcime.
I njëjti, në Ligën Unike ka pasur mesatare prej 31.2 minutave për ndeshje, duke shënuar 18.1 pikë për lojë, 2.4 asistime dhe 3.3 kërcime.
Sipas përfoljeve deri tash, Hajdari pritet të bëhet pjesë e KB Peja për edicionin 2022/23, mirëpo ende nuk ka asgjë zyrtare, derisa KB Peja në anën tjetër ka lëshuar një paralajmërim për një ardhje të re në klub.