BERISHA ME MBI 1 GOL PËR NDESHJE!
Astrit Berisha në super-formë, Prishtina e Re përmbys Vushtrrinë
31 August, 2024 @18:54
Prishtina e Re po vazhdon me formën e mirë në nismë të stinorit të ri në Ligën e Parë - Grupi B, derisa ekipi i drejtuar nga trajneri Elon Berisha ka shënuar edhe fitoren e tretë në tre xhirot e para të stinorit.
Ka qenë sulmuesi në formë i ekipit, i transferuar këtë verë aty, Astrit Berisha që me dy gola ka ndihmuar në përmbysjen e rezultatit, për t’ia siguruar fitoren e madhe Prishtinës së Re ndaj Vushtrrisë: Prishtina e Re 3-1 Vushtrria [Astrit Berisha 44’, 86’, Fatlind Azizi 57’ - Dren Ahmeti 29’].
Mysafirët e drejtuar nga Armend Dallku morën epërsinë fillimisht me golin e Dren Ahmetit, por Astrit Berisha barazoi pak pa përfunduar pjesa e parë në 1-1, për të vazhduar me golin e Fatlind Azizit në pjesë të dytë dhe për të mbyllur gjithçka në fund me Berishën. Ky i fundit ka filluar stinorin në formë të jashtëzakonshme, derisa në secilën ndeshje kampionale deri tash ka shënuar, e totali i golave të tij është 4 gola në 3 ndeshjet e para të stinorit.
Prishtina e Re momentalisht është e para në Ligën e Parë - Grupi B me 9 pikë nga 3 ndeshje, ndërsa Vushtrria ka pësuar humbjen e parë të stinorit sot, kurse aktualisht qëndron në pozitën e katërt të renditjes me 4 pikë prej 3 ndeshjeve të para të stinorit.
Në xhiron e radhës, Prishtina e Re pret Fushë Kosovën, kurse Vushtrria Flamurtarin.