Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

BALLKANI FITON DERBIN LOKAL

Ballkani me dominim fiton derbin lokal ndaj Suharekës

Foto: FCBallkani/ fb

Ballkani me dominim fiton derbin lokal ndaj Suharekës


22 December, 2024 @20:54

Fitorja e dytë me radhë për Orges Shehin në bankë të Ballkanit, derisa ekipi kampion i Kosovës ka fituar derbin lokal ndaj debutuesit në Superligë, Suharekës sot.

Lindon Emërllahu, që ditë më parë u shpall lojtari më i mirë i vitit në Kosovë shënoi me një shut nga distanca, për epërsi, ndërsa Bleart Tolaj në pjesë të dytë vulosi fatin e ndeshjes, pas një gabimi të mbrojtjes së vendasve, Suhareka - Ballkani 0-2 [Lindon Emërllahu 15’, Bleart Tolaj 69’].

Ballkani në fakt, ka dominuar ndeshjen me raste dhe me lojë. Kampioni tregoi fuqinë në këtë përballje për të mos lënë dyshime për fituesin, ndërsa rastet e shumta që i kishte nuk u realizuan vetëm falë portierit të Suharekës Eurolind Avdimetaj, që ka ndalë dy topa të rrezikshëm kur të vetmuar, 33’ Tolaj dhe 35’ Emërllahu, u stopuan!

Rasti i vetëm që ia vlen të përmendet për vendasit sot ka qenë tentimi i Mevlan Zekës nga afërsia, por atë Enea Koliçi e kishte nuhatur më parë dhe doli me kohë për të mos i dhënë hapësirë golashënuesit më të mirë të pjesës vjeshtore të stinorit për të shënuar!

Në pjesë të dytë Suhareka e drejtuar nga Qëndrim Kida kishte edhe më pak raste, ndërsa fizikisht Ballkani dukej shumë më i qëndrueshëm, që pos golit të fitores pati edhe dy raste të mira për të thelluar fitoren, por përsëri ka qenë Avdimetaj që i jipte gjallëri ndeshjes me pritjet e tij.

Ballkani në pushim dimëror shkon në pozitë të dytë me 33 pikë, 7 më pak se liderja Drita. Suhareka në anën tjetër, në stinorin debutues në Superligë, mbyllë vjeshtën në mes të tabelës, duke qëndruar në pozitë të pestë me 25 pikë. Ekipet që janë në zonë të rrezikshme kanë 20 e më pak pikë.


 
Të gjitha lajmet nga FFK Superliga