SULMUESI I KOSOVËS
Albion Rrahmani zgjidhet i huaji më i mirë në Rumani!
17 December, 2024 @22:32
Këtë stinor e la Rumaninë, por Albion Rrahmani ka marrë më së shumti vota dhe është përzgjedhur futbollisti më i mirë i huaj i ligës rumune të futbollit, duke marrë çmimin nga AFAN Bucuresti si “Lojtari më i mirë i huaj i stinorit 2023/24”.
Në një postim të tijin në Instagram, Rrahmani që tashmë është lojtar i Sparta Pragës dhe ka shënuar dy gola në Ligë të Kampionëve në formatin e ri të saj, ka shprehur falenderime për trajnerët dhe lojtarët që kanë votuar për te. Gjithashtu, ai ka falenderuar edhe tërë klubin e Rapidit ku ka luajtur bashkë me staf, lojtarë e të tjerë.
Ceremonia e shoqatës së futbollistëve amatorë dhe jo amatorë të Rumanisë u organizua mbrëmë. Albion Rrahmani është bërë lojtari më i shtrenjtë i dalë nga Liga I rumune ndonjëherë, duke u shitur prej Rapidit të Bukureshtit drejt Spartës së Pragës për 5 milionë euro si dhe klubi rumun do të merr bonus 20% nga shitja e ardhshme potenciale e tij.
Përndryshe, Rrahmani ftohet rregullisht nga selektori i Kosovës Franco Foda.