Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

LLAPI ME KOMUNIKATË!

10 ndeshje pa fitore, Llapi reagon: vendimet e dyshimta të gjyqtarëve…

Foto: KFLlapi/ fb

10 ndeshje pa fitore, Llapi reagon: vendimet e dyshimta të gjyqtarëve…


14 December, 2024 @20:28

Janë pa fitore në Superligë që prej shtatorit. Ekipi i Llapit ka kaluar tetorin dhe nëntorin pa fitore në kampionat. Edhe dhjetori po vazhdon njëjtë për ekipin e drejtuar nga Tahir Batatina. Sot, pësuan edhe nga kampioni, Ballkani!

Pak më minuta më parë, KF Llapi ka lëshuar një komunikatë për media duke thënë se është shqetësuar për vendimet e njëpasnjëshme të dyshimta dhe të paarsyetueshme, ku sipas tyre janë dëmtuar padrejtësisht nga gjykimet tendencioze të gjyqtarëve!

Mëposhtë, komunikata e plotë e KF Llapit:

KF Llapi shpreh shqetësimin e thellë për vendimet e njëpasnjëshme të dyshimta dhe të paarsyetueshme që kanë ndodhur në ndeshjet e fundit, ku jemi dëmtuar padrejtësisht nga gjykimet tendencioze të gjyqtarëve. Pas analizave të bëra, kemi vërejtur se këto gabime nuk janë të rastit, por duket se janë rezultat i një menaxhimi të gabuar dhe të njëanshëm nga ana e FFK-së dhe gjyqtarëve.
Në tri raste të veçanta, që i kemi përmbledhur në video, kemi humbur 8 pikë të vlefshme që kanë ndikuar rëndë në rendimentin tonë këtë sezon dhe kanë thelluar edhe më tej krizën në të cilën po kalojmë. Faktori kryesor në këto situata, tragjikisht, ka qenë Mervan Bejtullahu, i cili ka qenë i pranishëm në tri ndeshje: ndaj Dukagjinit si gjyqtar kryesor, ndaj Ferizajt dhe sot ndaj Ballkanit si gjyqtar në VAR, dhe ka ndikuar drejtpërdrejt në rezultatet e ndeshjeve, duke shkaktuar dëm të madh për skuadrën tonë.
Bejtullahu me vendimet e tij të dyshimta ka dëmtuar skuadrën tonë në tri ndeshje: duke pranuar golin e Dukagjinit kur topi ishte në lëvizje si gjyqtar kryesor i ndeshjes, duke asistuar gjyqtarin kryesor, Genc Nuza, për një penallti të dyshimtë për Ferizajn, dhe duke asistuar sot gjyqtarin kryesor, Dardan Çaka, për penalltinë e akorduar për Ballkanin.

E kuptojmë frustrimin e tifozëve tanë që na mbështet, duke njohur krizën e rezultateve që po kalojmë. Megjithatë, kjo nuk mund të justifikojë dëmtimin e ekipit dhe ndershmërinë e garës për interesa personale të dikujt.
Ne si klub kërkojmë transparencë dhe drejtësi. FFK dhe organet përkatëse duhet të mbajnë përgjegjësi për veprimet e tyre, dhe nuk do të pranojmë të qëndrojmë duarkryq përballë kësaj padrejtësie. Duhet të jetë e qartë për të gjithë se kjo mund të ndodhë në çdo moment, edhe për skuadra të tjera të elitës, dhe është e nevojshme të merret masa urgjente për të mbrojtur integritetin e futbollit kosovar.

Për këtë arsye, pas përfundimit të sezonit, ftojmë të gjitha klubet e Albi Mall Superligës që të kërkojmë një takim urgjent me FFK-në për të diskutuar mbi këto çështje dhe për të kërkuar një zgjidhje të drejtë dhe të paanshme për të gjithë. Ne nuk do të heshtim, dhe do të vazhdojmë të luftojmë për një garë të pastër dhe të ndershme. Fundja, le të fitojë më i miri, por jo përmes gabimeve të gjyqtarëve që shërbejnë si ndihmë për klube të caktuara.
Me respekt,
Kryesia e KF Llapi
Podujevë, 14 dhjetor 2024


 
Të gjitha lajmet nga FFK Superliga