FITORE E VËSHTIRË, POR E LEZETSHME PËR LIDEREN
Liderja fiton në fund, për dimër të qetë
22 December, 2024 @20:47
Kapiteni Rron Broja ka dalë në skenë kur iu desht më së shumti ekipit. Drita ka shënuar fitore në frymën e fundit të ndeshjes ndaj Feronikelit’74 në përballjen mes lideres dhe skuadrës së fundit në renditje, ku gjilanasit mposhtën mysafirët 2-1 në fund.
Drita - Feronikeli’74 2-1 [Rron Broja 55’, Arb Manaj 90’+2 - Leart Zekolli 12’].
Broja ka shënuar golin e barazimit, ndërsa në kohën shtesë ka asistuar bukur brenda në zonë, për t’ia mundësuar Manajt golin e fitores dhe tre pikët, që ekipin e Zekirija Ramadanit e lënë të qetë në krye të renditjes për pushime të Vitit të Ri.
Në fakt, Feronikeli’74 nuk pati shumë nga loja. Mirëpo, një kundërsulm të mirë që e kishin në fillim të ndeshjes e shndërruan në gol, falë Leart Zekollit, që goditi prej rreth 16 metrash në portën e Faton Malokut për epërsi (12’).
Drita u sul në ofanzivë të plotë, por Marley Prince në portën e ekipit të Giovanni Colellës ka pritur thuajse gjithçka. Rastin më konkret e kishte Kastriot Selmani në pjesë të parë (41’). E në pjesë të dytë pa vonuar shumë pas një ndërprerje, kapiteni Rron Broja ka futur topin në rrjetën e pakalueshme deri në atë moment (55’).
Vendasit intensifikuan sulmet edhe më, duke kërkuar fitoren. Almir Ajzeraj nxorri penallti pas një veprimi të kalimit të kundërshtarit në zonë (62’). U rrëzua, gjyqtari ishte afër dhe penalltia ishte e padyshimtë. Por, ai që rrallëherë gabon, gjuajti jashtë penalltinë, derisa Besnik Krasniqi pa topin që shkoi pranë portës kur shutoi nga pika e bardë (63’).
Më pas, Veton Tusha qëlloi transverzalen e portës, kur goditi me kokë (86’) pas kornerit të Besnik Krasniqit. Pesë minutat shtesë të dhëna nga gjyqtari u treguan fatale për mysafirët që rezistuan mjaft deri atëherë. Krosimi i thellë i Brojës gjeti Manajn në zonë, që me kokë solli fitoren dhe gëzimin e madh të “intelektualëve” që tash ka 40 pikë pas 18 ndeshjeve me shtatë më shumë sesa ndjekësi i parë, kampioni aktual Ballkani.
Dimri për Feronikelin’74 do të jetë i ftohtë, duke qëndruar në fund të tabelës me 10 pikë nga 18 ndeshje, që kërkon punë edhe më të madhe të skuadrës për të bërë luftë të fortë në pranverë për mbijetesë.