LLAPI - DUKAGJNI
Pa gola ndaj Dukagjinit, Llapi dimëron në zonën e rrezikshme
20 December, 2024 @15:02
Ndeshja hapëse e xhiros së XVIII, që është xhiroja e fundit e stinorit vjeshtor në Superligë, është mbyllur me barazim pa gola.
Llapi e Dukagjini dhuruan një pjesë të parë kryesisht të mirë, e pastaj një të dytë relativisht më të dobët. për një 0-0 në fund.
Pjesa e parë u mbyll pa gola.
Dy raste të mira për Dukagjinin kishte Hekuran Berisha, goditjet e të cilat u mbrojtën nga Vokli Laroshi, portieri vendas. Në anën tjetër, dy raste të mira pati Ardit Tahiri. Dy gjuajtjet e tij nga afërsia, njëra me këmbë e tjetra me kokë, përfunduan për pak jashtë portës.
Në pjesën e dytë Llapi ishte skuadër më kërkuese, por në përgjithësi kjo pjesë ishte më e dobët se e para sa i përket rasteve për shënim.
Besar Musolli në qendër të mesfushës e Elvir Gashijani nga krahu i djathtë u veçuan te Llapi gjatë kësaj pjese, por llapjanët nuk arritën në asnjë moment që ta tundin rrjetën e Altik Muhaxhirit, që nuk është se pati shumë punë në përgjithësi sot.
Në minutat shtesë të ndeshjes (90+2’), Llapi mendoi që e gjeti golin e fitores. Një goditje me kokë e Hamdi Namanit, përfundoi në portë pas një reagimi të dobët të Altik Muhaxhirit, Për fatin e keq të Llapit, Landrit Rama ishte në pozicion jashtë loje gjatë akcionit të golit dhe goli i podujevasve u anulua pas rishikimit me VAR.
Në anën tjetër, Dukagjini nuk u tregua fort i rrezikshëm në këtë pjesë, përjashto një goditje të Mërgim Pefqelit nga gjuajtja e lirë (72’).
Rrjedhimisht, ndeshja u mbyll pa gola dhe pikët u ndanë.
Kështu, Llapi tashmë ka 11 xhiro pa fitore dhe shkon në pushim dimëror duke qenë në zonën e rrezikshme, kurse Dukagjini do të dimërojë në vendin e shtatë.
Për t’u përmendur nga ky takim është fakti që Tahir Batatina e Ismet Munishi, kryetrajnerët e skuadrave përkatëse, gjatë ndeshjes u ndëshkuan me kartonë të verdhë për shkak të ankesave ndaj vendimeve të gjyqtarit kryesor.