DUKAGJINI - SUHAREKA
Barazim në Klinë, Hekuran Berisha s’lejon humbjen e Dukagjinit
30 October, 2024 @15:59
Ndeshje mjaft interesant me katër gola të shënuara sot në Klinë.
Në fund, Dukagjini e Suhareka barazuan mes vete 2-2 (Hekuran Berisha 28’ 71’ / Mevlan Zeka 24’, Liridon Fetahaj 55’).
I zakonshmi Mevlan Zeka ishte ai që hapi serinë e golave në këtë takim, duke shënuar për 0-1 në minutën e 24’ pas daljes jo të mirë të portierit Muhaxhiri. Por, skuadrat në pushim me rezultat të barabartë i çoi goli i Hekuran Berishës 4 minuta më vonë, i shërbyer nga krosimi i Mërgim Pefqelit.
Në pjesën e dytë, përsëri mysafirët e gjetën rrjetën të parët. Kësaj here për 1-2 shënoi prizrenasi Liridon Fetahaj (55’), mirëpo vendasit nuk u dorëzuan dhe përsëri shënuan përmes Hekuran Berishës (71’), sulmuesit premtues të skuadrës nga Klina.
Pak para golit të shënuar, Dukagjini mbeti me një lojtar më pak në fushë pas përjashtimit të Jakup Berishës (66’) me dy kartonë të verdhë, por inferioriteti numerik nuk i pengoi ata që ta gjenin golin e barazimit dhe ta mbyllnin ndeshjen me një pikë të arkëtuar.
Pas fillimit jo edhe aq të mirë, Dukagjini tash shkon në tri ndeshje pa humbje, duke grumbulluar kështu pikë të rëndësishme në luftë për shpëtim, ndërkohë Suhareka po kalon një sezon debutues tejet të mirë, duke qenë në vendin e tretë pas dhjetë ndeshjeve të zhvilluara.