NGA INFORMATORI I PARË I KUPËS
Bashkimi dhe Peja, marrin dënime për duelet çerekfinale
21 February, 2023 @14:33
Dy skuadrat e eliminuara që në çerekfinale të Kupës së Kosovës, Bashkimi dhe Peja, kanë marrë dënimet nga FBK-ja, bën të ditur Informatori Nr. 1 i Kupës së Kosovës.
Të dyja skuadrat u mposhtën në ndeshjet e tyre, Bashkimi nga Prishtina ndërsa Peja nga Rahoveci, kurse dënimi iu dha për mosrespektim të Nenit 49.7 të PG-së, në bazë të të cilit KG-ja ka shqiptuar dënim prej 400 eurosh për secilën skuadër.
Neni 49.7 i PG-së thotë: Animi dhe sjellja josportive e shikuesve ndaj policisë, sigurimit, institucioneve, FBK-së, etj. dhe dënohet me 400 euro.
Ndërsa te përshkrimi i sjelljes së shikuesve për Bashkimin dhe Pejën është shkruar: Jo të mira, ku pas ofendimeve me vendim të vëzhguesit të ndeshjes janë larguar nga palestra.
Nga dënimet tjera të shqiptuara nga rrethi i parë janë për gabime teknike të lojtarëve, ku me nga 50 euro janë gjobitur: Alban Veseli (Peja), Jalen Tate (Peja), David Joseph (Peja) dhe Jahii Carson (Vëllaznimi).