XHIRO III
Bashkimi e Peja gati, Prishtina pushon
26 October, 2015 @12:34
Këtë xhiro të Balkan League-së, Sigal Prishtina, pushon, derisa ka udhëtuar drejt Rumanisë për përballjen historike në FIBA Europe Cup.
Por, për ekipet tjera të vendit - nuk ka pushim. Bashkimi dhe Peja, skuadra që bëjnë pjesë në Grupin B të BIBL, do të kenë përballje jo të lehta.
Bashkimi udhëton për në Bullgari, ku në Sofje e pret Levski 2014. Levski ka pasur një paraqitje shumë të mirë xhiron që shkoi në përballje ndaj Lovçenit dhe Bashkimi do ta ketë para vetes një rival të vështirë.
Ekipi prizrenas nuk do të llogarit te playmakeri Imer Tahiri, që është i lënduar si dhe te qendra greke, Efthimios Tsakaleris, që për arsye familjare është larguar nga ekipi.
Pasnesër, të mërkurën, Peja në Karagaç do ta zhvillojë ndeshjen e parë si vendas këtë stinor në BIBL, derisa pret Teodon që deri më tani nuk njeh humbje.
Peja do të ketë përballë një ekip të cilin e njeh mirë, pasi që është takuar edhe në edicionet e kaluara të kësaj gare me ekipin nga Tivati, që njihet si rival i fortë.