EUROPE CUP
Para debutimit historik
26 October, 2015 @8:26
Ekspedita e Sigal Prishtinës ka marrë rrugë mbrëmë për në Rumani, para debutimit të tyre në FIBA Europe Cup. Kjo është gara e parë europiane ku do të luajë një skuadër kosovare, prej se Kosova u pranua nga FIBA, ndërsa vetë FIBA Europe Cup shënon vitin e parë të saj, pasi u themelua këtë verë.
“Sigal Prishtina ka nderin që të bëhet ekipi historik që e përfaqëson Kosovën si shtet më i ri i Europës në garë europiane. Fundorët e Sigal Prishtinës, janë lojtarët te të cilët llogarit ekipi, pasi që Khalid El Amin me përvojën e tij, Stanimir Marinov me organizimi dhe Dardan Berisha me shutat - janë armët kryesore,” ka shkruar faqja zyrtare e FIBA-së në përshkrimin e shkurtë për ekipet pjesëmarrëse në Grupin K.
Përveç Sigal Prishtinës dhe rivalit të saj të nesërm, Energia nga Rumania, aty bëjnë pjesë edhe Astana e Kazakistanit dhe AEK i Qipros.
Rivali i nesërm i Prishtinës, Energia, në radhët e veta ka edhe serbin Lazar Radosavljevic që figuron të jetë i lindur në Mitrovicë. Ndërsa qendra e ekipit rumun në fjalë nuk është e panjohur për ekipin bardhekaltër, pasi që Szabolcs Santa më parë ka veshur fanellën e Craiovas në Balkan League.