BASHKIMI - PEJA

Borozani/Arkiv (prill 2017)
Bashkimi fiton me shumë vështirësi ndaj Pejës
30 October, 2017 @19:45
Në takimin e mbetur nga java e pestë e Superligës së Kosovës në basketboll, Bashkimi ka shënuar fitore me rezultat 80-77 ndaj skuadrës së Pejës. Ndeshja ishte tejet interesante, sidomos në minutat e fundit, me skuadrën pejane që edhe pse ishte e përbërë totalisht me lojtarë vendorë, luftoi deri në fund dhe e rrezikoi seriozisht fitoren e vendasve.
Prizrenasit ishin më të mirë në pjesën e parë të ndeshjes, të cilën e mbyllën me plot 13 pikë epërsi, mirëpo ishte çereku i tretë ai në të cilin pejanët ‘shpërthyen’ dhe e ngushtuan dukshëm avantazhin, për ta bërë kështu 10 minutëshin e fundit tejet interesant.
Në 10 minutëshin e fundit, prizrenasit aplikuan mbrojtje tejet të fortë në krahasim me çerekun e tretë. Mirëpo, edhe pse pejanët shënuan vetëm 4 pikë në 7 minutat e parë të këtij çereku, ishin 3 minutat e fundit ata të cilët u bënë tejet interesant pas shënimeve nga Rron Grapci për 3 pikë dhe Arti Hajdari për 2 pikë. Këto 5 pikë e afruan rezultatin në 80-77 kur kishin mbetur vetëm 17 sekonda para fundit të ndeshjes, mirëpo në akcionin e radhës ishte Arian Qallaku ai që u tregua i pasaktë për tri pikë dhe ndeshja nuk shkoi në vazhdime, duke u mbyllur kështu me fitoren e Bashkimit.
Pas asaj ndaj Kerasanit, kjo ishte fitorja e dytë e Bashkimit nën drejtimin e grekut Takianos.
Më të dalluarit sonte për Bashkimin ishin Adrian Motley me 18 pikë, 7 kërcime dhe 4 asistime dhe Semir Zekiqi me 17 pikë, 4 kërcime e 2 asistime, kurse për Pejën u dalluan Leonard Mekaj me 21 pikë, 3 kërcime e 6 asistime, derisa pikë dyshifrore sonte shënuan edhe Arti Hajdari (19) dhe Beq Kovaqi (16).
Kjo fitore bën që Bashkimi tashmë të ketë bilanc 4-2, derisa Peja 2-4.