NDESHJA PER MEDALJEN E BRONZTE

Fotot: KBFPrishtina/ligaunike
Bashkimi fiton, merr të bronztën në Ligën Unike
24 March, 2022 @19:09
Bashkimi ka mundur Flamurtarin e Vlorës me rezultat 73:70 (12:16, 26:13, 21:15, 14:26), në ndeshjen për vendin e tretë në Ligën Unike në konkurrencën e femrave.
Çereku i parë ishte shumë i baraspeshuar, ku herë njëra skuadër kalonte në epërsi e herë tjetra, pa arritur shkëputjen e madhe, ndërsa kjo pjesë përfundoi 12:16. Por, në periudhën e dytë, skuadra e Bashkimit ishte më e mira, dhe ngritën epërsinë, ku më e larta ishte 12 pikë, 38:26, kurse pjesa e parë përfundoi me shifrat 38:29.
Prizrenaset vazhduan me lojë të mirë edhe në periodën e tretë, duke ngritur edhe më shumë epërsinë, ku shkoi deri në 15 pikë dy herë, 52:37 dhe 59:44.
Megjithatë, dhjetë minutat e fundit u zhvillua lojë interesante dhe dramatike. Skuadra vlonjate nuk dorëzohet dhe afron rezultatin në 71:70, 28 sekonda para fundit, por Bashkimi triumfoi me shifrat 73:70.
D’asia Chambers me 19 pikë e 7 kërcime ka qenë më efikasja te Bashkimi, ndërsa asaj i ka ndihmuar edhe bashkëkombësja e saj që mbron ngjyrat e ekipit prizrenas, Monique Coker, që ka kryer lojën me double-double prej 16 pikëve dhe 16 kërcimeve.
Në anën tjetër nuk kanë mjaftuar 26 pikët e Taliyah Hopkins e as double-double i Samra Omerbasic, që kreu ndeshjen me 18 pikë e 11 kërcime.
Kështu, KBF Bashkimi mbyll edicionin e parë të Ligës Unike të Femrave me medalje të bronztë, vendin e tretë të fituar, ndërsa Flamurtari përfundon e katërta garën.