BASHKIMI - PENZA
Bashkimi mposht lideren me mbi 40 pikë dallim!
25 March, 2018 @21:32
Skuadra e femrave të Bashkimit ka vazhduar me formën e shkëlqyeshme në pranverë, duke shënuar edhe fitoren e radhës.
Kësaj radhe, ekipi prizrenas shënoi fitore dhe atë të thellë ndaj Penzës së Pejës, që është lidere e Ligës së Femrave.
Trajnerja e Bashkimit, Fëllanza Balluku, po vazhdon me ritmin e fitoreve në pjesën e dytë të stinorit prej se erdhën dy amerikanet në ekip dhe femrat e Bashkimit po duken të pandalshme.
TABELA AKTUALE E LIGËS SË FEMRAVE
Tashmë ekipi prizrenas ka renditur vetëm fitore në pranverë. E gjashta me radhë në pjesën e dytë të stinorit dhe e nënta me radhë në krejt stinorin, prej se kanë humbur nga Penza në nëntor 2017.
Bashkimi fitoi me 42 pikë dallim këtë ndeshje, për përfundimtaren 98-56, derisa tre basketbolliste të ekipit nuk pushuan fare, duke luajtur për 40 minuta në lojë.
PERFORMANCAT INDIVIDUALE
Khadija Brown përfundoi ndeshjen me triple-double prej 31 pikëve, 13 asistimeve dhe 11 kërcimeve.
Anastasia Williams luajti me double-double prej 27 pikëve dhe 11 kërcimeve, ndërsa Aulona Muhadri gjithashtu kreu ndeshjen me double-double duke shënuar 16 pikë e 19 kërcime në fitore.
Në anën tjetër, te Penza vetëm dy vajza arritën të shënojnë pikë dyshifrore. Saranda Daci shënoi 16 pikë e 14 kërcime, ndërsa Filloreta Krasniqi shtoi 15 të tjera në ndeshje.
BILANCI AKTUAL
Pas këtij dueli, Penza ka bilanc 13-2, ndërsa Bashkimi 12-3.