PRIZRENI - BASHKIMI
Bashkimi mposht për herë të dytë Prizrenin
21 November, 2018 @20:47
Kampioni aktual i Superligës si duket ka marrë veten. Pas fitores së parë në BIBL, ekipi ka regjistruar fitoren e dytë me radhë në Superligë dhe pas mposhtjes së Rahovecit, ka mposhtur edhe rivalin lokal Prizreni sonte.
Kjo është hera e dytë këtë stinor që Bashkimi mposht Prizrenin, ndërsa fitorja e sontme ka ardhur pas lojës më të mirë të Bashkimit në çerek të tretë, kur edhe u bë dallimi kryesor (17-26, çereku i tretë), për përfundimtaren 86-94 në të mirë të portokallezinjëve.
Përforcimi i fundit i Bashkimit, Steven Haney ka qenë më efikasi sonte por edhe më i vyeshmi në skuadër. Haney ka luajtur me 32 pikë, 9 kërcime e 5 asistime në fitore. Ky njeri, ende s’ka shijuar humbje me Bashkimin.
Jordan Capps ka shënuar 28 pikë, 8 kërcime e 7 asistime, ndërsa pikë dyshifrore nga forcat vendore ka shënuar Ujkan Karanezi, 19.
Te Prizreni më i dalluari ka qenë Urim Zenelaj. Ai ka kryer ndeshjen me double-double prej 29 pikëve dhe 14 kërcimeve, ndërsa Elliott Cole ka shtuar 21 pikë tjera. Përveç dyshes së përmendur, asnjë lojtar tjetër i bardhezinjëve nga qyteti i vjetër i Kosovës s’ka shënuar pikë dyshifrore.
Pas kësaj fitoreje Bashkimi ka bilanc 5-5, ndërsa Prizreni 4-5 (me një ndeshje më pak, ndaj Prishtinës).