PLAY I RI NË PRIZREN

Bashkimi rikthen në Superligë Dajuan Grafin
12 October, 2022 @15:08
Basketbollisti amerikan që i ndihmoi në stinorin e kaluar Yllit të Suharekës në rrugëtimin e tyre drejt titullit kampion të Kosovës, Dajuan Graf, këtë stinor rikthehet në Superligë të Kosovës, por te ekipi i Bashkimit.
Përmes një njoftimi të shkurtër, skuadra e Bashkimit ka bërë të ditur që ka angazhuar playmakerin amerikan për këtë edicion, ndërsa i njëjti pritet të debutojë që në ndeshjen e radhës, të cilën prizrenasit e luajnë ndaj Pejës, ku kjo e fundit nuk di për humbje këtë stinor!
“Mirësevjen Dajuan Graf! Fundori amerikan 1.85cm i është bashkuar KB Bashkimit. Welcome Dajuan!” — shkroi KB Bashkimi në njoftim.
Sa i përket statistikave të tij nga sezoni i kaluar në Superligë 2021/22, Graf në elitë luajti 13 ndeshje me mesatare prej 32.8 minutash për ndeshje, ndërsa shënoi 11.4 pikë për ndeshje, bëri 5.3 asistime dhe 5.5 kërcime.
Më parë, ai ka qenë pjesë e elitës ukrainase të basketbollit ku luajti për Kharkivski Sokoly. Graf në anën tjetër te Ylli në Ligën Unike i luajti vetëm tri ndeshje, me mesatare prej 28 minutash për lojë, ndërsa shënoi mesatarisht 6 pikë, bëri 5 asistime e 3.3 kërcime. Ai ishte zyrtariuzar te Ylli më 4 mars të këtij viti, ndërsa debutoi te suharekasit në përballje ndaj Tiranës në kuadër të Ligës Unike.
Bashkimi që ka nisur stinorin me trajnerin Darko Radulovic në pesë ndeshjet e para të stinorit ka bilanc prej dy fitoresh dhe tri humbjesh. Të dielën ata në Sezai Surroi presin ekipin e Pejës, që ka bilanc 5-0 këtë sitnor, kurse dueli është paraparë të nis prej orës 19:00 dhe është ndeshja e fundit e xhiros me orar të botuar në FBK.