ADIS BECIRAGIC
Beciragic: Për 45 ditë kemi pasur 16 ndeshje, energjia e bëri dallimin
9 May, 2021 @23:21
Golden Eagle Ylli është vetëm një fitore larg titullit kampion.
Suharekasit me fitoren e sotme ndaj Pejës, avancojnë me rezultat 2-0 në serinë finale të Play Off-it.
Trajneri i Yllit, Adis Beciragic, pas ndeshjes tha se të dyja skuadrat janë afërsisht të barabartë dhe po tregojnë lojëra të mirë, ndërsa dallimin në rezultat po e bënë energjia që u ka mbetur lojtarëve.
“Mendoj se të dyja skuadrat luajtën shumë mirë. Veçse kam numëruar që në 45 ditët e fundit kjo është ndeshja jonë e 16-të. Dhe të gjitha këto 16 ndeshje kanë qenë finale për ne. Lojtarët janë të lodhur. Edhe Peja gjithashtu është lodhur shumë. Mendoj që kush ka më shumë energji, do ta fitojë titullin dhe jo vetëm një ndeshje. Të dyja ekipet po luajnë mirë dhe kanë lojtarë të mirë. Prandaj dallimin do ta bëjë energjia dhe jo aspekti taktik apo teknik”, tha Beciragic për K Sport.
Ndeshja e radhës e serisë finale mes Yllit dhe Pejës do të luhet të martën në palestrën “Karagaçi” të Pejës.