PLANET E KURTOVICIT
Besa me akademi dhe kamp
29 November, 2013 @20:40
Klubi i themeluar stinorin e kaluar, Studenti, që me të hyrë në Superligë ndërroi emrin në Besa, ka plane serioze për të ardhmen e basketbollit pejan.
Së paku kështu ka bërë të ditur Arbër Elshani, kryetar i këtij klubi, planet dhe idetë e trajnerit kroat të ekipit Besa.
“Planifikohet që të hapet akademia e basketbollit të Besës si dhe të organizohet kampi me pjesëmarrës nga tetë shtete të rajonit,” tregon Elshani planet e Kurtovicit.
“Këtë e ka bërë Kurtovic derisa ka qenë në Split me Jugoplastikën e atëhershme, ndërsa në Pejë do të përzgjedhen fëmijët nga të gjitha shkollat e mesme të ulta dhe të larta, derisa më të mirët do të bëjnë pjesë në klubin Besa për të krijuar kategoritë e reja dhe për tu zhvilluar edhe më shumë si basketbollistë,” bën të ditur ai.
Puna pritet t’ia fillojë vitin tjetër, por datat ende nuk janë bërë të ditura saktësisht sepse ende po punohet në zhvillimin e idesë.
Besa ka arritur që të shënojë tre fitore deri më tani në Superligë, krahas gjashtë humbjeve në Superligë dhe tani pasi që kanë kompletuar katër të huaj në ekip - kërkojnë fitore edhe ndaj Bashkimit në ndeshjen e nesërme në Sezai Surroi të Prizrenit.