RICKEY GEORGE
Besimi i madh i siguroi Kastriotit mbijetesën
5 June, 2014 @19:44
I lumtur që ka shpëtuar ekipin nga Ferizaji duke siguruar mbijetesën në Superligë, trajneri amerikan i Kastriotit, Rickey George, ka mbetur i falenderuar gjithmonë për ferizajasit dhe përkrahjen e tyre.
I ardhur në ekip në ndërmjetësim të një miku, George nisi misionin në fillim të pamundur në letër. Sigurimin e mbijetesës në Superligë për Kastriotin.
Në marrëveshje për t’i ndihmuar ekipit dhe për të siguruar mbijetesën, ai kishte pranuar ofertën e Kastriotit, lojtarët e të cilit patën ikur te RTV 21 në gjysmëstinor, kur ai erdhi në detyrë të trajnerit.
“Shumë njerëz e shihnin si një sfidë të pamundur për tu kompletuar. Por unë, e morra si një detyrë të cilën duhet kryer,” ka thënë fillimisht George në intervistën e tij me Borozani.com.
“Ka qenë një stinor shumë luftarak për pjesën e poshtme të tabelës, njëra ndër më të vështirat që kam përjetuar.”
Sa i përket çelësit të mbijetesës ai mendon se kryekëput, besimi ka qenë primar.
”Çelësi i mbijetesës ka qenë besimi dhe të mendohet për çka jemi këtu,” ka vazhduar njeriu që morri drejtimin e ferizajasve në gjysmëstinor.
Momenti më i mirë dhe më i keq i stinorit?!
“Momenti padyshim më i mirë i stinorit ka qenë kur siguruam një vend në Play-Out, duke ditur se e kemi rrëzuar RTV 21-shin, të cilët në gjysmëstinor kishin marrë disa lojtarë nga ekipi ynë,” ka shprehur entuziazmin amerikani, që e pat siguruar këtë pozitë duke e mposhtur Besën e Pejës në Ferizaj.
E me këtë fitore, Kastritoti kishte arritur fitoren e pestë në kampionat - që i garantonte atyre një pozitë mbi fundin e tabelës dhe Play-Outin.
“Sa i përket momentit më të keq, besoj se kjo ka qenë pas çdo humbjeje që e merrnim përkundër luftës. Kjo ndodhte për shkak se ekipi nuk e kishte atë kiminë e duhur në lojë dhe i humbnim ndeshjet që nuk duhej humbur asnjëherë. Në këtë ndoshta kanë ndikuar ca individë në ekip, që më shumë brengoseshin për statistika sesa për ekip.”
E tash…
“I uroj edhe njëherë klubit të Kastriotit mbijetesën që asnjëherë nuk u ndalë së besuari që do të mund të ketë këtë sukses. Kam lënë të hapur mundësinë për të ardhë edhe stinorin tjetër, ndoshta me një Kastriot që do të luftojë për titull. I falenderoj të gjithëve që na qëndruan në afërsi deri në momentet e fundit dhe në përkrahën pa kursim. E qytetit të Ferizajit e di se ky ekip do t’i thotë shumë dhe jam tepër i lumtur që i ndihmova qytetit,” ka përfunduar George.
Kastrioti ka arritur në tërësi 5 fitore në Superligë, që kanë qenë të mjaftueshme për të siguruar një vend për Play-Out, derisa aty mposhtën së pari Kosovën e Vushtrrisë në gjysmëfinale e në fund edhe Yllin në finale - për të siguruar stinorin 2014/15 në Superligë. Rickey George kishte zëvendësuar në fillim të pjesës së dytë të stinorit trajnerin Blerim Krasniqi te Kastrioti.