NGUTET BIBL
BIBL lëshon komunikatë pas ndërprerjes së ndeshjes Trepça-Peja
11 January, 2017 @23:11
Liga Ballkanike (BIBL) ka lëshuar një komunikatë për media pas ndeshjes së ndërprerë ndërmjet Trepçës dhe Pejës sonte.
“5:33 minuta kishin mbetur në çerekun e tretë të ndeshjes dhe Peja udhëhiqte 54-47, kur tifozët vendas hodhën objekte në parket dhe njëri nga referët dhe një lojtar mysafir u goditën. Në këtë pikë referët vendosën të zbrazin palestrën dhe pasi që tifozët refuzonin për një kohë të gjatë lirimin e sallës, ndeshja u ndërpre.
Pas kësaj drejtori sportiv i BIBL, Shay Shtriks, bashkë me kreun e FBK-së Erolld Belegu dhe komisionerin e ndeshjes morrën vendim për ndërprerje të ndeshjes. Kjo do të thotë që Peja e fiton duelin 20-0 dhe nuk i takon asnjë pikë Trepçës,” - ka bërë të ditur fillimisht përmes një njoftimi me e-mail liga ballkanike.
Më pas, FBK ka reaguar në faqen zyrtare të saj duke shkruar se kreu i FBK-së, ka thënë se vendimi për ndërprerjen e ndeshjes është e drejtë e gjyqtarit dhe e askujt tjetër në parket. Ndërsa Belegu ka pranuar se ka qenë pjesë e konsultimeve me palët e përfshira, por assesi nuk ka ndikuar dhe nuk ka marrë vendim që ndeshja të ndërpritet apo e kundërta.
Kjo pas disa minutash ka shtyer që BIBL të ndërrojë komunikatën e saj për media, ku tash shkruan:
“Pas kësaj drejtori sportiv i BIBL, Shay Shtriks, konsultoi komisionerin e ndeshjes dhe gjyqtarin kryesor, ku u muarr vendimi për ndërprerje të ndeshjes dhe e informoi për këtë kreun e FBK-së, Belegu. Kjo do të thotë që Peja e fiton duelin 20-0 dhe Trepçës nuk i takon as pika e humbësit,” - shkruan në komunikatën e përmirësuar të BIBL tash.
Gjithashtu, BIBL do të merr edhe vendime tjera sipas rregullores së saj pas pranimit të raportit zyrtar të ndeshjes nga komisioneri i takimit.