FBK
Bie kandidatura e Belegut!
21 August, 2013 @20:04
Kandidatura e Erolld Belegut për kryetar të Federatës së Basketbollit të Kosovës sot është hedhur poshtë nga Bordi i FBK-së për shkak të parregullsive.
Sipas Bordit, në kandidimin e Belegut janë përfshirë dy nënshkrime të falsifikuara, përkatësisht nënshkrimi i Ruzhdi Kuqit nga KB Ylli dhe i Zenun Miftarit nga KB Bashkimi.
E gjithë kjo erdhi pas reagimit të Kuqit, i cili ka pohuar se nënshkrimi i tij ishte i falsifikuar.
Kuvendi zgjedhor i FBK-së do të mbahet këtë fundjavë, përkatësisht të shtunën më 24 gusht, ndërsa kandidati i vetëm për kryetar mund të jetë Blerim Vuniqi, pas hedhjes poshtë të kandidaturës së Belegut nga Bordi i FBK-së.
Megjithatë, as Belegu, i cili ka mbështetjen e 22 klubeve, nuk e ka ndërmend të heq dorë nga kandidimi pas vendimit të Bordit. Ai për KTV-në tha se ky bord nuk ka legjitimitet dhe nuk mund të marrë vendime të tilla, duke shtuar se e vendimin nëse do të kandidojë apo jo mund të mirren vetëm në Kuvendi.
Federata e Basketbollit të Kosovës ka mbetur pa kryetarin e saj që nga dorëheqja e Fatmir Gashit.