TË PANDALSHËM
Bleon Sekiraqa vendimtar, Prishtina e Re vazhdon perfeksionin!
29 September, 2024 @22:25
Shtatë xhiro, shtatë fitore. Njëzetenjë pikë, maksimale nga sa mund të mirren. Kjo është Prishtina e Re e drejtuar nga Elon Berisha, që nuk po njeh kundërshtarë në Ligën e Parë - Grupi B, ndërsa po galopon drejt Superligës me këtë ecuri.
Vendasit përkundër se luftuan për të nxjerrë diçka nga ndeshja, në fund nuk kanë arritur të dalin me pikë nga dueli, derisa ka qenë një asistim i golashënuesit më të mirë të ekipit këtë stinor, Astrit Berisha, që gjeti Bleon Sekiraqën të gatshëm për të shënuar për fitore: Kika - Prishtina e Re 0-1 [Bleon Sekiraqa ‘86]. Berisha fitoi një top në mes të fushës, për të pasuar menjëherë drejt Bleon Sekiraqës, që pas vrapit të gjatë shënoi për fitore.
Për Prishtinën e Re nuk ka çka të shtohet më shumë, pasi ekipi po vazhdon perfeksionin duke regjistruar vetëm fitore xhiro pas xhiroje, ndërkaq Kika do të duhet të gjejë rrugën e këndelljes, pasi që tash ekipi mbyll xhiron në pozitë të tetë me 5 pikë nga 7 ndeshje, një më shumë sesa Fushë Kosova që është e parafundit dhe në pozitë të rënies nga liga!