TRAJNERI I VËLLAZNIMIT

Branimir Pavic: Duhet të zhvillojmë ndeshje fantastike
4 April, 2021 @11:37
Trajneri i Vëllaznimit, Branimir Pavic, ka dhënë një deklaratë para ndeshjes jetike për ekipin e tij këtë stinor.
Kroati Pavic, i cili ka marrë drejtimin e Vëllaznimit tri muaj më parë, ka arritur një numër fitoresh dhe tashmë ekipi kuqezi nga Gjakova është pranë shpëtimit të stinorit në Superligë.
Vëllaznimit i duhet fitore ndaj Sigal Prishtinës sot — për të siguruar mbijetesën në Superligë. Vëllaznimi ka bilans më të mirë se Prishtina në duele të ndërsjella këtë stinor.
“Kjo ndeshje është shumë e rëndësishme si për ne ashtu edhe për Prishtinën. Kemi respekt ndaj rezultateve të Prishtinës në vitet e fundit, por edhe këtë sezon, kur fituan Superkupën e Kupën,” ka thënë fillimisht Pavic për Kohën ditore.
“Duhet të luajmë ndeshje fantastike, të ngjashme me dy të fundit ku kemi mposhtur ata. Jam optimist për rezultat pozitiv dhe besoj se ekipi do të japë maksiumimin,” ka thënë ndër të tjera trajneri 40-vjeçar.
Aktualisht, Prishtina e Vëllaznimi kanë bilanc të njëjtë në klasifikim dhe vetëm koshdallimi ua cakton pozitat. Të dyja kanë nga 9 fitore e 17 humbje.
Me fitore, Vëllaznimi do të bënte numrin e fitoreve 10 dhe kështu pa marrë parasysh rezultatet e xhiros së fundit të stinorit të rregullt, gjakovarët për shkak të bilansit më të mirë në duelet e ndërmjetme me bardhekaltërit, do të siguronin mbijetesën.
Në anën tjetër, Prishtina me dy fitore në dy xhirot e fundit — mbijetesën e ka të sigurt, së paku përmes PlayOutit.
Sonte, prej orës 19:00 në Shani Nushi të Gjakovës, Vëllaznimi - Prishtina.