CONSTANTINIDES - PARA NDESHJES
Çdo ndeshje, për fitore
8 February, 2016 @20:27
Sigal Prishtina vazhdon nesër javën e ngjeshur me ndeshje, kësaj radhe në ligën ballkanike. Kampionja e Kosovës pret Levskin 2014 në Pallatin e Rinisë dhe të Sporteve në kryeqytet, ndërsa trajneri qipriot i saj, Antonis Constantinides ka thënë se ekipi i tij në çdo ndeshje hyn për fitore.
“Ne duam të fitojmë çdo ndeshje dhe këtë e kemi dëshmuar qysh nga fillimi i pjesës së dytë të stinorit në të gjitha garat,” ka thënë Constantinides për faqen zyrtare të FBK-së sot.
“Rivali ka ekip me lojtarë shumë të mirë, por ne e kemi ekipin më të gjërë dhe kjo është arsyeja që na bën të besojmë në fitore. Pas fitores ndaj Pejës do të jemi edhe më të motivuar. Për më tepër, shpresoj që edhe Peja e Bashkimi të shënojnë fitore dhe të tre ekipet kosovare të arrijnë gjysmëfinalen që është shumë mirë për basketbollin kosovar,” ka shtuar ai.
Sigal Prishtina ka nisur me fitore fazën e dytë në BIBL, duke shënuar fitore të rëndësishme ndaj Kozuvit si mysafir dhe këtë ritëm dëshiron të vazhdojë edhe ndaj Levskit nesër.
Sigal Prishtina në vitin 2016 nuk din për humbje dhe ka arritur seri prej 8-0.