Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

PREJ 3-0 NË 3-2!

Celtics nuk dorëzohet, ngushton serinë

Celtics nuk dorëzohet, ngushton serinë


26 May, 2023 @8:22

Katër lojtarë me mbi 20 pikë të shënuara, ndërsa njëri prej tyre me double-double, ka qenë e mjaftueshme që Boston Celtics të vazhdojë të shpresojë në rikthim të serisë ndaj Miami Heat. Këta të fundit udhëhiqnin serinë finale të Konferencës Lindore 3-0! Me sot, rezultati është ngushtuar në 3-2! Fitorja e katërt që ua siguron finalen e madhe, nuk po vjen ende për lojtarët e Eric Spoelstrës.

Ndërkaq në TD Garden, Celtics kanë dominuar që prej fillimit të ndeshjes, kurse Derrick White ishte më efikasi me 24 pikë të shënuara, duke shutuar 8/6 për tri pikë si dhe duke regjistruar dy topa të rrëmbyer. Marcus Smart dha 23 pikë, ndërsa Jayson Tatum ka qenë shumë afër triple-doublit, duke e kryer lojën me 21 pikë, 11 asistime e 8 kërcime. Jaylen Brown kompletoi katërshen e lojtarëve me mbi 20 pikë, duke i dhënë 21, krahas 3 topave të rrëmbyer nga kundërshtari.

Në fitoren prej 110-97 të Celtics Tatum pas ndeshjes ka folur për ndikimin e spektatorëve në lojën e tyre, derisa shtoi: “Jam i gëzuar që u kemi dhënë atyre mundësinë të festojnë në fund… jam i kënaqur që më në fund kemi arritur t’i shpërblejmë ata për energjinë që po na japin gjatë secilës ndeshje.”

Kurse për atë se çka do të bëjnë Celtics në ndeshjen e gjashtë të serisë, sinjale ka dhënë J Brown. “Kemi shikuar njëri-tjetrin para ndeshjes. Ishte 3-1. I kemi thënë njëri-tjetrit, nuk do të dalim nga playoffi në këtë mënyrë.”

Jaylen Brown

Ylli i Heat Jimmy Butler u ndalë në 14 pikë, ndërsa më efikasi te ata u tregua Duncan Robinson me 18 të shënuara. Bam Adebayo kreu ndeshjen me 16 pikë e 8 kërcime, kurse Kevin Love u ndalë në 6 pikë.

Dueli i gjashtë i serisë në Kaseya Center të Miamit në mëngjesin e 28 majit (me kohën tonë lokale), për barazim të serisë, ose sigurimin e finales për Miamin ku po e pret fituesi i Perëndimit Nuggets, që ka pushuar mjaft për finalen e madhe.

Ndërsa Butler i Heat pas disfatës në ndeshjen e pestë të serisë tha shkurt: “Ne mund dhe ne do ta fitojmë këtë seri.” Në një mënyrë tregoi se Miami po mbledh energji për të shpërthyer në palestrën e vet gjatë ndeshjes së gjashtë. A do t’i arrijnë?


 
Të gjitha lajmet nga NBA