ANTE ZIZIC
Cibona shet lojtarin më të mirë, Petrovic dorëhiqet
27 December, 2016 @10:50
Skuadra më e njohur e basketbollit kroat, Cibona, vetëm se ka hyrë në bisedime për shitjen e lojtarit më të mirë të saj Ante Zizic (lex. Zhizhiç) në drejtim të ekipit turk, Darussafaka, Aleksandar Petrovic ka dhënë dorëheqje nga të gjitha funksionet që i ushtron në klub.
“Pasi që Cibona ka vendosur që ta shet Ante Zizicin kur duhet të zhvillohen ndeshjet ndaj Mornarit dhe Partizanit, si rrjedhojë ka shkelur interesat sportive të klubit, jap dorëheqje nga detyra e kryetarit dhe anëtarit të bordit të ekipit,” ka qenë deklarata e Petrovicit dhënë nga faqja zyrtare e ekipit.
Ante Zizic, 19 vjeçar, 212 centimetra i gjatë, është i lindur në Split dhe është i kërkuar në thuajse gjithë Europën, por edhe në NBA.
Ai është reprezentues i Kroacisë, ndërsa vjet ka fituar medaljen e argjendtë në Kampionatin Botëror me Kroacinë U19. Darussafaka pritet të jetë destinimi i tij i radhës, derisa Boston Celtics është primar në NBA.
Petrovic ka thënë se ardhmëria e Cibonës ka qenë Zizic dhe krijimi i një ekipi të fortë në përmasa europiane ka qenë në plan të ndërtohej rreth tij.
Zizic është lojtari më i mirë i ligës së Adriatikut me mesatare prej 28.23 të indeksit të vlefshmërisë. Mesatarja e tij është 20 pikë për ndeshje, 9.2 kërcime, 1.5 asistime dhe 1.2 bllokada në ligën e Adriatikut.