EKSKLUZIVE
Çka pret Drita nga stinori i ri?!
Intervistë me drejtuesin e KB Drita, Fazli Fazliu;
7 August, 2014 @10:28
Në vazhdën e intervistave: 5 pyetje - 5 përgjigje me drejtuesit e klubeve të Superligës së Kosovës, sot Borozani.com ju sjell intervistën me Fazli Fazliun, drejtusin e klubit të vetëm gjilanas në elitë të basketbollit.
Drita, që stinorin e kaluar shpresoi Play-Offin dhe nuk e arriti atë në fund, tash nuk ka para. Basketbollistët janë duke stërvitur individualisht, derisa dy trajnerët e saj po punojnë me gjeneratat e reja, për të nxjerrë ndonjë talent.
Do të bëjmë më të mirën për klubin
Drejtuesi i klubit gjilanas pret që të qartësohet gjithçka rreth klubit deri në fund të këtij muaji dhe me disa përforcime nga Shqipëria dhe ekipet tjera kosovare beson se mund të krijojë një ekip stabil.
Drita me një buxhet stabil do të synojë pjesën e epërme të tabelës.
-Në çfarë faze është ekipi juaj te përgatitjet parasezonale?!
Fazliu: Klubi ynë ende nuk ka filluar përgatitjet për stinorin e ri. Lojtarët janë duke u përgatitur individualisht, për shkak të kushteve jo të mira që ka klubi.
-Do të vazhdoni me Gyltekin Selimin trajner, apo keni plane tjera për stinorin e ri?
Fazliu: Ne mundohemi që me të gjithë trajnerët të kemi bashkëpunim për të mirën e klubit. Gyltekin Selimi dhe Arben Bislimi kanë filluar për momentin të punojnë me kategori të reja për shkak se klubi më parë ka pasur ngecje në këtë aspekt, ku na kanë munguar gjeneratat e reja. Sidoqoftë, ne do të ulemi e të bisedojmë me të gjithë që as më shumë të kemi ndikim në drejtimin e skuadrës dhe do të shikojmë nëse ofrohet buxheti i mirë në klub të sjellim edhe trajner nga jashtë ku jemi edhe në bisedime me disa të tillë.
Basketbollistët s’kanë kontrata
-Cilët lojtarë i keni me kontrata dhe sa lojtarë duhen përafruar te Drita para nisjes së stinorit të ri?
Fazliu: Ne kontrata nuk kemi me asnjë lojtar, për shkak se kontrata mund të bëjmë vetëm kur klubi ka buxhet stabil. Ne nuk dëshirojmë t’i kushtëzojmë lojtarët tanë me kontrata. Klubi ka nevojë për së paku 5 lojtarë vendorë dhe për momentin mund të llogaris që në klub kemi 3 lojtarë që mund t’i quaj stabil, por kjo natyrisht që është pak. Prandaj nëse kemi buxhet të siguruar, do të kërkojmë lojtarë nga Shqipëria dhe Kosova.
Drita i përket pjesës së epërme të Superligës
-Synimet e klubit për stinorin e ri?!
Fazliu: Synimet e klubit gjithmonë kanë qenë – në pjesë të epërme të tabelës së klasifikimit të Superligës, ku edhe në stinorin e shkuar në pranverë ishte ky synim, por falë gjykimeve të disa referëve dhe akterëve tjerë, na lanë jashtë Play-Offit. Ne do të synojmë që klubi të arrijë në vendim ku e meriton dhe kjo është përballja me klubet e fuqishme që kanë buxhet. Prandaj synimi ynë mbetet pjesa e epërme e tabelës.
-Për tifozët, lojtarët dhe basketbollin në përgjithësi…
Fazliu: Për tifozët tanë – Intelektualët – mendoj që janë tepër të sjellshëm dhe meritojnë më të mirën. Vetë emri i tyre tregon kulturën e tyre dhe i përshëndes për respektin që kanë ndaj Dritës. Ata meritojnë që t’ua sjellim më të mirën këtë stinor. Sa i përket lojtarëve, kam një porosi: ata me punë të dëshmojnë cilësinë, ndërsa ne tu ndihmojmë si klub. E sa i përket basketbollit, jemi në situatë ku të gjitha klubet kemi problem të njejta, derisa FBK-ja kërkon mjete pa filluar edicioni garues, duke ditur gjendjen financiare të klubeve. Njëherit mendoj se me referim jemi katastrofë dhe apeloj që të kthehen ata referë që i kanë larguar, pasi që nuk më ka pëlqyer fakti që 3 referët, ndër më të mirët në vend, të eliminohen. Nga moscilësia e referimit bie edhe interesimi dhe efikasiteti i lojës në basketboll.