PEJA - YLLI

Foto: KBPeja/Korniza/fb
Dardani i pandalshëm! Peja në krye, mposhtet kampioni
21 October, 2021 @21:21
Dardan Berisha ka shkëlqyer edhe një herë për Pejën, derisa lojtari më i mirë në Kosovë, ka shënuar 23 pikë, 6 asistime, 6 kërcime dhe ka luftuar për secilin top, përgjatë 40-minutave që i luajti pa pushim, për t’ia dhënë shqiponjave në Karagaç fitoren e gjashtë të stinorit dhe për t’i kthyer në krye të tabelës përkohësisht.
Çereku i parë i ndeshjes i takoi Pejës me 20-13. Ylli u rikthye në lojë në çerek të dytë, me 11-20, për të mbyllur pjesën e parë me epërsi 31-33.
Në pjesë të dytë Peja nisi furrishëm, ndërsa këtë 10-minutësh e përfundoi me 30-21. Sidoqoftë, Ylli hyri me krejt forcat në fund dhe ishte pranë të kapte fitoren, derisa rezultati arriti 79-78 në të mirë të Pejës, kur Ardit Pepaj dha treshe, derisa kishin mbetur dy sekonda për fund.
E këtu Dardan Berisha, më i miri i ndeshjes sonte, fitoi faull, duke i dhënë koshat për triumfin 82-78, pasi që fauli i Bensonit ndaj tij u cilësua josportiv, ku gjithçka mori fund.
12 pikë në fitore shënoi Arian Qallaku, ndërsa 11 të tjera shtoi kroati Henrik Sirko, që bëri edhe 8 asistime e 9 kërcime në përballjen që vërtetoi epitetin e derbit.
Te Ylli lojë tepër të mirë bënë Erjon Kastrati e Mikaile Tmusic. Fitorja e tyre ishte në prag, por nuk e arritën në fund. Tmusic luajti me 22 pikë, pa pushim në 40-minuta lojë, njëjtë sikurse Erjoni që shënoi 17 pikë e 10 kërcime.
Nga të huajt, Cameron Williams i Yllit shënoi 20 pikë e 5 asistime, që në fund për pak s’mjaftuan për fitore.
Fitorja bën Pejën që të përmbyllë ciklin e parë të Superligës me bilans 6-1, ndërsa kampioni aktual Ylli e mbyll ciklin me bilans negativ, 3-4.