PARA NDESHJES
Derbi i javës, sonte në Minatori
4 March, 2017 @12:18
Ndeshja kryesore e xhiros së XX në Superligë, do të zhvillohet sonte në palestrën “Minatori” në Mitrovicë.
Dy rivalët e vjetër, Trepça dhe Sigal Prishtina, do t’i masin forcat në mes veti për të dalë fituese nga kjo betejë.
Sigal Prishtina tashmë ka seri perfekte prej 17 fitoreve rresht dhe duket mjaft e disponuar për ta regjistruar fitoren e radhës sonte, pasi që vlerësohet si favorite përballë Trepçës.
Ndërsa minatorët, janë në telashe të mëdha, pasi që lojtarët vendorë kanë filluar bojkotin për shkak të vonesave në paga.
Madje, bojkoti mund t’i shtyjë që disa lojtarë vendorë të mos paraqiten sonte, ndërsa drejtuesit e klubit me siguri që do të mundohen deri në momentet e fundit që t’i bindin ata.
Përveç kësaj, vëmendja kryesore do të jetë edhe te Drilon Hajrizi, që është shndërruar në njeriun më të padëshiruar në “Minatori” pas transferimit në Sigal Prishtinë. Megjithatë, Driloni nga paraqitjet e mëparshme në “Minatori” ka dëshmuar se di si ta mbajë qetësinë dhe ta kryejë punën e vet, pavarësisht presionit të madh të publikut.
Trepça - Sigal Prishtina do të fillojë nga ora 18:00 dhe do të drejtohet nga treshja e gjyqtarëve Xhelal Mumini, Elion Obërtinca dhe Ngadhnjim Shabani.