ANTONIS CONSTANTINIDES
Do të dëshmojmë se jemi më të fortë se Peja
6 February, 2016 @17:35
Trajneri i Sigal Prishtinës, Antonis Constantinides, ende nuk ka të ndalur prej se ka marrë drejtimin e ekipit në janar të këtij viti.
Ai ka kapur serinë 7-0 në të gjitha garat, ndërsa nesër e pret derbi i madh i Superligës së Kosovës, ku përballet me Pejën.
Përkundër se nuk ka pasur kohë të mjaftueshme për tu përgatitur për superderbi, sipas Constantinidesit, Sigal Prishtina do të tregojë forcën e saj dhe do të fitojë këtë ndeshje.
“Nuk kemi pasur kohë të mjaftueshme për t’u përgatitur ashtu siç dua unë për këtë ndeshje, pasi në mesjavë e kemi luajtur një ndeshje shumë të fortë kundër Kozuvit në Ligën Ballkanike. Megjithatë në dy ditët e fundit ne kemi punuar shumë dhe jemi përgatitur maksimalisht dhe këto janë edhe arsyet se pse duhet të fitojmë në këtë duel. Peja na ka mposhtur 3 herë në këtë edicion, por kjo është një ndeshje krejt e ndryshme prej atyre të mëparshmeve. Shumë gjëra kanë ndryshuar tek të dyja skuadrat. Unë kam shumë respekt për stafin e trajnerëve të Pejës dhe për basketbollistët, por në këtë moment ne do të dëshmojmë se jemi skuadër më e fortë se ata, gjë që do ta bëjmë në të gjitha duelet e ardhshme me ta deri në fund të edicionit,” ka thënë qiprioti për faqen zyrtare të FBK-së sot.
Sigal Prishtina këtë stinor nuk ka shijuar asnjë fitore ndaj Pejës në të tre ndeshjet e zhvilluara në të gjitha garat deri më sot.
Peja ka seri perfekte në Superligë dhe ende nuk di për humbje.