KOSOVA U-20
Basketbollistët e përfaqësueses U-20 të Kosovës/ BOROZANI/D.S.
Do të japim maksimumin!
3 July, 2015 @14:17
Përfaqësuesja U-20 e Kosovës dukej të jetë gati për Kampionatin Europian të këtyre grupmoshave, që mbahet në Hungari.
Atmosfera e mirë
Atmosfera në ekip dukej e mirë, derisa djelmoshat ishin në disponim, e trajneri Ilir Selmani flistë për përgatitjet dhe pritjet nga debutimi ndërkombëtar për Kosovën U-20.
“Ndeshjet miqësore na kanë shërbyer mirë për përgatitje. Kemi eksperimentuar me 14 lojtarë, për të përcaktuar 12-shen që do të udhëtojë në Hungari,” ka thënë fillimisht Selmani.
Miqësoret eksperimentale
Humbjet në tre miqësore të zhvilluara, dy ndaj Bullgarisë dhe një tjetër ndaj Shqipërisë, nuk e kishin brengosur shumë Selmanin, që vlerëson se me rëndësi ka qenë të shihet ekipi në parket dhe loja e tyre, para rezulutatit.
“Besoj që më me rëndësi kanë qenë përgatitjet, pasi që kemi pasur dy muaj kohë për tu bërë gati e atje do të kemi kundërshtarë të fortë dhe që luajnë për një kohë më të gjatë mes veti sesa ekipi ynë,” ka shtuar ai më tej.
Ndeshje të forta
Sa i përket pjesëmarrjes dhe rezultatit në Hungari, Selmani është i bindur se lojtarët do të japin maksimumin në Europian edhe pse fillimisht me rëndësi është pjesëmarrja.
“Duke pasur parasysh që aty është Mali i Zi, që është një ekip me shkollë të njohur të basketbollit dhe debutimin tonë, besoj që pjesëmarrja është me rëndësi. Por ne nuk shkojmë aty të dorëzuar, pasi që jam i bindur se këta djelmosha do të japin maksimumin në çdo ndeshje, ku çdo rezultat pozitiv do të jetë i mirëseardhur,” ka thënë ndër të tjera Selmani, që ka punuar në dy muajt e fundit me Kosovën U-20 bashkë me ndihmësin e tij, Ismet Ferati.
Orari
Kosova U-20 do të nis Europianin në përballje me Portugalinë më 9 korrik. Pastaj në kuadër të Grupit C ku bën pjesë, takohet me Malin e Zi më 11 korrik, para ndeshjeve me Gjeorgjinë (12 korrik) dhe Luksemburgun (13 korrik).
Lista për Hungari e Kosovës U-20:
Erris Nushi | Arian Memeti | Samir Zekiqi | Burim Zekiqi |
Ujkan Karanezi | Leonard Mekaj | Lorik Kllokoqi | Mërgim Jakupi |
Blendi Kadusha | Agon Selmani | Musab Mala | Mirza Muriç |