PEJA

BOROZANI/ Edrin Shkuliqi
Dobbins ose Mitchell!
3 February, 2013 @23:57
Liderja e BKT Superligës, Peja, është duke kërkuar pandërprerë një basketbollist të pozitës së qendrës për ta zëvendësuar amerikanin Christopher Garnett, i cili ishte larguar ditë më parë nga Peja.
Kryetari i klubit, Art Gashi, gjatë një emisioni në kanalin televiziv, RTV 21, ka thënë se janë në kërkim të një basketbollisti të huaj, ndërsa primare janë ata të cilët kanë luajtur në Kosovë më parë, duke mos hezituar t’i përmend as emrat si Justin Dobbins dhe Dustin Mitchell.
Dobbins, i cili ka luajtur edhe më parë për Pejën, për momentin është duke luajtur në skuadrën zvicerane, Starwings, derisa Mitchell, i cili në stinorin vjeshtor luajti për Sigkos Bashkimin, tani ka kontratë me skuadër Gotha Basket, që garon në ligën e dytë të Gjermanisë.
Përveç tjerash, kryetari Gashi i ka hequr dilemat rreth Dardan Berishës, i cili spekulohej shumë se do të largohet nga Peja. Gashi ka thënë se Berisha ka marrë oferta nga disa skuadra europiane, por megjithatë ka vendosur të mbetet në Pejë, ndërsa mendja e tij mund të ndryshohet vetëm nëse do të vijë ndonjë ofertë në drejtim të tij nga ndonjë ‘super-skuadër’ europiane.